English

Berisha -Ramës: Shqipëria ofron çmimet më të ulëta në Evropë, për hemodializën

Kryeministri Berisha, tha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se kjo ditë i kushtohet biznesit, nisur nga një sërë vendimesh të rëndësishme që miratohen, të cilat i dedikohen biznesit dhe masave në lehtësim të tij.

Duke e vënë theksin tek reformat dhe rëndësia e tyre në mbrojtjen e vendit nga kriza ekonomike dhe rënia në recension, kryeministri vuri në dukje se ato faktuan se modeli ynë ekonomik ishte dhe është një model suksesi i padiskutueshëm, i cili natyrisht duhet të ndiqet në dinamikën e tij.

Kryeministri bëri të ditur se paketa e reformave që do të ndërmerret, në raport me qytetarin shqiptar, ka vetëm pozitivitet dhe mirësi dhe nuk krijojnë asnjë lloj dhimbje qoftë dhe të përkohshme, përveçse përmirësim dhe në vazhdim. “Këto reforma synojnë të rrisin aftësitë konkurruese të ekonomisë shqiptare, pra të rrisin prodhimin, të rrisin punësimin. Me këto reforma synohet që të zgjerohet liria ekonomike dhe e iniciativës së lirë të çdo fermeri shqiptar, të çdo biznesmeni shqiptar të vogël, të mesëm dhe të madh. Synohet pra, të nxitet me të gjitha stimujt prodhimi dhe punësimi i qytetarëve shqiptarë.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur një sërë masash që do të ndërmerren në ndihmë të biznesit si heqja tvsh-së për të gjitha makineritë e të gjitha llojeve të bizneseve që do të përdoren për prodhim, heqjen e tvsh-së për të gjitha makineritë që do të përdoren në bujqësi, e degët e shumta të saj, blegtori, agrokulturë, bletari, bimë aromatike etj, heqjen e tvsh-së për çimenton dhe çelikun e importuar dhe të blerë në vend, për të gjitha HEc që do të ndërtohen, etj.

Në këtë kontekst, kryeministri tha se së shpejti do të nisë zbatimin një projekti tejet i rëndësishëm, ai i kaskadës së Devollit. Kryeministri shtoi se qeveria me vendimet e mësipërme ndikon fuqishëm në koston e ndërtimit të Hec-ve në Shqipëri.

Ndërsa në përgjigje të akuzave të Kryetarit të PS Edi Rama, lidhur me çmimet e hemodializës, të cilat sipas tij janë dy herë më të larta se sa ato mesataret, kryeministri u shpreh se përmes shërbimeve spitalore publike dhe atyre private, Shqipëria ofron ndër çmimet më të ulëta në Evropë, për këta pacientë.

Kryeministri ftoi zotin Rama, që si figurë publike të informohet saktësisht nëpërmjet statistikave zyrtare dhe jo të bazohet në burime joserioze, nëpërmjet të cilave dezinformon publikun.

KOMENTE