English

Berisha: Reformimi shëndetsor, në qendër të reformimit të këtij sistemi

Kryeministri Berisha, gjatë një takimi me mjekët, u shpreh se modernizimi i sistemit shëndetësor, rritja e cilësisë dhe ofrimi i shërbimit të njëjtë për të gjithë qytetarët, pavarësisht të ardhurave të tyre, janë në qendër të reformimit të mëtejshëm të këtij sistemi. Kryeministri Berisha, i cili ndodhej në këtë takim për të prezantuar rektoren e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja, theksoi se edhe krijimi i këtij Universiteti do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet e gjithanshme për t’i ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimin më të mirë shëndetësor, ndërsa u bëri thirrje mjekëve për konsolidimin e rregullave të qarta midis funksionimit të sektorit publik dhe atij privat, që të dy sektorët të ecin pa dëmtuar njëri-tjetrin.

“Ju e dini mirë se çdo qeveri e çdo forme e ka për detyrë të parë sigurimin e shërbimit shëndetësor ndaj qytetarit, por një qeveri e një vendi të lirë nuk pengon kurrë veprimtarinë private të individit. Mbetet një kod etik i hekurt që duhet t’i impononi vetes, në mënyrë që të dy sektorët të ecin pa dëmtuar njëri-tjetrin. Të mos harrojmë se sektori publik është sektori edhe i atyre që nuk kanë dhe ata që nuk kanë, kanë të drejtë të gëzojnë të njëjtin shërbim cilësor si ata që kanë,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri ftoi mjekët të konsolidojnë anët pozitive të shërbimit tonë shëndetësor, si aksesin e shpejtë e të lehtë në sistem, shmangien e burokracive. “Është në detyrën tuaj të mbikëqyrni e të mos lejoni asnjëherë që ky akses të vështirësohet, të luftoni ndaj çdo faktori që, së paku, të dimë se qytetari nuk ka një radhë të gjatë pritjeje, të dimë se qytetari nuk ka një seri barrierash për t’u takuar me mjekun që duhet të takojë.”

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal në disa nga treguesit pozitive të shërbimit shëndetësor shqiptar, sikundër nënvizoi edhe disa nga problematikat e reformës së këtij sektori.

KOMENTE