Partia Socialiste ka denoncuar sot betonizimin që është parashikuar t’i bëhet kryeqytetit, nëpërmjet planit urbanistik të miratuar edhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Pas mbledhjes së sotme të këtij Këshilli, anëtari i grupit të punës për Programin e PS, Artan Lame në një deklaratë për shtyp ka akuzuar Bashkinë e Tiranës dhe Kryeministrin Berisha se me vendimin e sotëm i kanë hapur rrugën betonizimit të plotë të të gjitha lulishteve të Tiranës.
Sipas tij Berisha do të arrijë deri aty sa të ndryshojë edhe legjislacionin përkatës për t’ia përshtatur atë planit. Ndërkohë që Artan Lame ka denoncuar edhe faktin se raporti i vlerësimit mjedisor të planit është bërë nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Anëtari i grupit të punës për Programin e PS, ka theksuar se kjo forcë politike ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë me forcë një oponencë ndërkombëtare për këtë plan, që s’dihet as kush e ka hartuar, e as ku e ka hartuar, por që dihet fare mirë se do ta bëjë të pajetueshëm kryeqytetin shqiptar.