Forumi i Gruas Socialiste i është bashkuar nismës ndërkombëtare të lançuar nga OKB, “Një miliard që ngrihen”, një nismë kundër dhunës ndaj grave në të gjithë botën. Gratë socialiste ishin mbledhur dje në një aktivitet të zhvilluar në Tiranë, ku merrte merrnin pjesë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kryetarja e FGS, Olta Xhaçka. Takimi është hapur nga kryetarja e FGS së Tiranës, Blerina Gjylameti e cila ka theksuar se jo më kot është zgjedhur 14 shkurti si dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas, por për të përcjellë mesazhin se në këtë ditë të të dashuruarve duhet ndërgjegjësuar gjithkush për nevojën e dashurisë, kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. “Statistikat tregojnë se 1 në tre gra në botë është e prekur nga ky fenomen të paktën një herë gjatë jetës së saj. Por, nëse flasim në Shqipëri shifrat janë më tragjike. Vetëm në 2012 ne patëm 27 gra të vrara. 27 është një numër shumë i madh, por gjithsesi nuk tregon çfarë ndodh mbrapa dyerve të mbyllura të çdo familjeje shqiptare. Vende, ku familjet vuajnë nga skamja, ku gratë detyrohen dhe përballen me fenomene të tmerrshme, që nga papunësia, varfëria, mungesa e arsimimit e deri tek tmerri dhe frika që kanë për të denoncuar fenomenin,” tha në hapje të takimit Blerina Gjylameti.
Më pas të pranishmit kanë ndjekur një mesazh filmik, në të cilin pasqyrohej gjendja në të cilën ndodhet një pjesë e mirë e grave në Shqipëri, por edhe nevoja për një sensibilizim më të madh të shoqërisë për të luftuar këtë fenomen që nuk dhunon vetëm gratë, por gjithë shoqërinë. Kryetarja e FGS, Olta Xhaçka duke marrë fjalën në takim ka theksuar se kjo një ditë e rëndësishme për të gjitha gratë në të gjithë botën, sepse kjo protestë bëhet në emër të thyerjes së atij zinxhiri të dhunës që mban peng mirëqenien dhe lumturinë e 1 miliard grave në të gjithë botë. “Ne sot ngremë zërin dhe protestojmë bashkë me 1 miliard gra në të gjithë botën në emër të të gjitha atyre grave dhe vajzave që fatkeqësisht humbën jetën. Humbën jetën edhe pse kërkuan ndihmë. Humbën jetën për shkak të dhunës, humbën jetën për shkak të gjakmarrjes, por humbën jetën edhe për shkak të indiferencës shtetërore që nuk iu dha ndihmën edhe atëherë kur e kërkuan.
Ne sot ngremë zërin dhe i bashkohemi këtij kumti ndërkombëtar për motrën tonë Zamirën, të cilës shteti dhe arroganca shtetërore i vrau të shtrenjtin e saj dhe drejtësia e vret dhe e rivret disa herë duke mos dhënë drejtësi për atë krim shtetëror që u krye. Ne sot ngremë zërin për motrat tona. Për vajzën e Ziverit, për nënën e Hekuranit, për gruan e Faikut, e për gruan e Aleksit të cilave arroganca shtetërore u vrau të dashurit e tyre dhe vazhdon ti dhunojë e t’i fyejë duke mos bërë drejtësi për atë krim shtetëror”, është shprehur Xhaçka.