English

Topi i përgjigjet Berishës: provo akuzat përndryshe do të përballesh me drejtësinë

Zyra e shtypit e FRD-së reagon në mënyrë publike lidhur me deklaratat e papërgjegjshme dhe akuzat e lëshuara në drejtim të z.Topi nga kryeministri në ikje Sali Berisha.

Kryeministri në ikje Sali Berisha, i trembur nga vota popullore kundër tij dhe verdikti qytetar i 23 qershorit kundër modelit të tij spekullues e baltosës, deklaroi sot se kryetari i FRD-së Bamir Topi ka marrë tri lejë ndërtimi nga ish-kryetari i Bashkisë Tiranë.

Në respekt të publikut dhe përgjegjësisë qytetare Bamir Topi i kërkon publikisht kryeministrit në ikje të bëjë publike dokumentet që pretendon, përndryshe ai do të përballet me dyert e drejtësisë me akuzën e shpifjes dhe abuzimit me detyrën.

I frikësuar nga kritikat në rritje perëndimore, nga zhgënjimi masiv qytetar, nga mosmbajtja e premtimeve, gjëndja e vështirë ekonomike si dhe nga rritja e dukshme politike e Frymës së Re Demokratike kryeministrit në ikje nuk ka më cfarë ofron për qytetarët përvecse metodat që ai njeh e praktikon më mirë, baltosjen, fyerjen dhe denigrimin ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve politikë.

Praktika e tij e spekullimit pa fakte dhe pa baza përbën një nga sëmundjet më negative të tranzicionit dhe një mentalitet stalinist të denjë për kohën kur ai ishte militant dhe drejtues në Partinë e Punës. Bamir Topi është një nga qytetarët politikanë që nuk ka marrë ende as të drejtat e pronësisë familjare të trashëguara dhe që njihen nga ligji, ndërkohë që vetë kryeministri dhe oborri i tij përfaqësojnë shtresën e re të pronarëve të rinj të pushtetit, të krijuar kryesisht për shkak të vendimmarrjes klienteliste familjare dhe politike.

Nga ana tjetër z.Topi i rikujton edhe njëherë qytetarëve shqiptarë se sa e rëndësishme është që shoqëria shqiptare, shteti dhe institucionet shqiptare të ndahen me votë të lirë dhe masive nga sistemi baltosës dhe i korruptuar që ka krijuar dhe mban në këmbë kryeministri në ikje Sali Berisha.

KOMENTE