Me një investim prej 23.8 milionë lekësh ka nisur ndërtimi i rrugës “Xhemal Tafaj”. Kjo rrugë me gjatësi 444 m dhe gjerësi 4 deri në 7 metra e trotuare në dy anët ndodhet në njësinë bashkiake nr.8, në Tiranë. Punimet në këtë rrugë, e cila ka qenë një kërkesë e drejtpërdrejtë e banorëve janë inspektuar nga Kryebashkiaku Lulzim Basha.
“Në këtë rrugë të lagjes nr.8, Bashkia e Tiranës po investon sipas kërkesës direkte të shumë banorëve dhe siç e shikoni gjendja e rrugës jo vetëm lë për të dëshiruar por tregon se Bashkia e Tiranës nuk ka qenë e pranishme në këtë lagje për më shumë se 10 apo 15 vjet. Për këtë arsye, investimet janë pritur me një kënaqësi të madhe nga banorët, ndërkohë që kontraktori dhe supervizori janë të angazhuar që punimet t’i kryejnë me cilësi të lartë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Rëndësia e këtyre investimeve është jashtëzakonisht e madhe dhe konkretisht ky i sotmi u vjen në ndihmë mbi 3000 banorëve të kësaj zone. Bashkia e Tiranës ka hapur mbi 60 fronte të tilla anembanë kryeqytetit, ndërkohë që brenda muajve të ardhshëm do të hapet edhe njëherë kaq punë. Kjo është shenjë e qartë e rikthimit në investim, të besimit që qytetarët e kryeqytetit po investojnë tashmë tek Bashkia e Tiranës” - u shpreh z. Basha.
Kjo rrugë, ashtu si çdo rrugë tjetër që po ndërtohet dhe rindërtohet në kryeqytet do të ketë kanalizime të ujërave të zeza e të bardha, ndriçim dhe gjelbërim. Ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve apo subjekteve tregtare në zonat ku po kryhen punimet në kryeqytet, kreu i Bashkisë tha se këto investime, përveç se janë një kontribut i drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve ndikojnë edhe në ekonominë e qytetit.
“Këto fronte pune që ndikojnë në cilësinë e jetës në Tiranë, në cilësinë e jetës së banorëve të kryeqytetit janë njëkohësisht edhe një ndihmë e drejtpërdrejtë në ekonominë e qytetit, pasi shifra e investimeve dhe numri i të punësuarve në këto fronte pune janë pa dyshim një lajm i mirë për dhjetëra, qindra familje, të afërmit e të cilëve janë të punësuar drejtpërdrejt në këto punime civile, në këto punë publike të Bashkisë së Tiranës apo në zinxhirin furnitor dhe bashkëveprues, me punimet që Bashkia po kryen anembanë qytetit. Qëllimi i këtyre punëve publike është ndihmë e drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së jetës në këto zona të harruara, ku cilësia e jetës në mënyrë të përditshme, orë pas ore dëmtohet pikërisht nga mungesa bazike e infrastrukturës, krejtësisht e padenjë për çdo cep të Evropës apo edhe kontinenteve të tjera. Efekti i drejtpërdrejtë është pa dyshim që paratë e qytetarëve të Tiranës po kthehen tashmë në infrastrukturë moderne, në cilësi të rritur jete, në vende të hapura pune, pra edhe në më shumë fuqi blerëse brenda në qytetin e Tiranës” - theksoi z. Basha.
Në ditën e Shën Valentinit, Kryebashkiaku Lulzim Basha ka përcjellë një mesazh edhe për të gjithë qytetarët e Tiranës.
“Gjej rastin në këtë ditë, që për shumë është një ditë e veçantë feste, të theksoj se ne do të vazhdojmë me përkushtim e dashuri për qytetin që të bëjmë detyrën tonë, sikundër uroj që kjo ditë dhe çdo ditë e vitit të na kujtojë se qyteti është “shtëpia” jonë e përbashkët, ndaj gjithsecili duhet të japë sipas mundësisë kontributin e tij” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.