Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, zhvilloi dje një takim me ambasadorët e Italisë dhe Greqisë, Massimo Gaiani dhe Leonidas Rokanas.
Gjatë takimit u përshëndet nënshkrimi i marrëveshjes ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” duke u vlerësuar këtë arritje si rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer mes qeverive të të tre vendeve, bashkëpunim i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në të gjitha drejtimet.
Bashkëbiseduesit evidentuan rëndësinë strategjike dhe ekonomike e këtij projekti madhor, jo vetëm për tre vendet, por për gjithë rajonin tonë dhe vetë sigurinë energjetike të Evropës.
Ministri Panariti, theksoi rëndësinë e përpunimit të një agjende të përbashkët, mes tre vendeve, për çuarjen përpara të projektit TAP, i cili do të jetë një urë e rëndësishme që do të lidhë më shumë Shqipërinë me dy vende anëtare të BE-së, Greqinë dhe Italinë, vendet e rajonit mes tyre, si dhe do të forcojë më tej vizionin e përbashkët për bashkëpunim dhe integrim evropian.