Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar telegrame të shumta urimi me rastin e shënimit të pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Përmes një deklarate, pesë vjetorin e pavarësisë, qytetarëve të Kosovës ia ka uruar edhe John Kerry, sekretar i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në emër të Presidentit Barack Obama dhe popullit të SHBA-ve, Kerry i dërgon urimet më të mira popullit të Republikës së Kosovës, me rastin e festimit të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në deklaratë, Kerry thekson se viti i kaluar ka qenë një ndër vitet më të rëndësishëm për Kosovën, duke përmendur përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe progresin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara fuqishëm në mbështetjen e një Kosove të pavarur, sovrane dhe multietnike. Unë i përgëzoj liderët e Kosovës për përkushtimin e tyre në ndërtimin e institucioneve të fuqishme demokratike, avancimin e mundësive të reja ekonomike, promovimin e rendit dhe ligjit dhe fuqizimin e rrugës së Kosovës drejt integrimeve evropiane ”, thotë Kerry, duke inkurajuar vazhdimin e angazhimit në këto drejtime, të cilat do të ndikojnë në stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe të rajonit.
“Ndërkohë që e festoni këtë ditë të veçantë, Shtetet e Bashkuar të Amerikës qëndrojnë pranë Kosovës si një partner dhe mik”, thotë sekretari Kerry.
Një telegram urimi, ministri Hoxhaj ka marrë nga Didier Reynders, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Belgjikës, i cili uron qytetarët e Kosovës në pesë vjetorin e shtetësisë.
Reynders thekson lidhjet e miqësisë që bashkojnë dy vendet, duke rikonfirmuar dëshirën e tij për të rritur bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, në telegramin dërguar ministrit Hoxhaj thekson se në kujtesën historike të shqiptarëve kudo që jetojnë, 17 shkurti do të mbetet datë lapidare, që shënon kurorëzimin e përpjekjeve e sakrificave shekullore të popullit të Kosovës për ta ndërtuar i lirë të ardhmen vet.
“Në këto pesë vjet pavarësi, Republika e Kosovës e ka dëshmuar veten faktor paqeje e stabiliteti në rajon, partner luajal që respekton e zbaton angazhimet e marra ndaj popullit të vet, fqinjëve, aleatëve dhe komunitetit ndërkombëtar, duke e bërë gjithnjë e më konkrete e më të afërt perspektivën e saj evropiane”, thotë Panariti, në telegram.