E kishte ndarë mendjen për të bërë një krim që nuk përshkruhet.
Nga Levani i Fierit deri në Kuçovë ka udhëtuar i armatosur me një armë automatike. Është nisur në drejtim të shtëpisë së nuses së tij, të cilën kishte pesë muaj që nuk e takonte. Bashkëshortët Riza Latifaj dhe Engjëllueshe Muço, pas 20 viteve martesë kishin nisur konfliktet e mëdha dhe kishin vendosur të divorcoheshin. Mirëpo burri nuk e ka pranuar ndarjen. Gruaja kishte vendosur të largohej nga shtëpia e tij dhe të vendosej në Greqi tek vëllezërit. Por, disa javë më parë ishte kthyer dhe ishte vendosur te prindërit e saj të moshuar në Kuçovë.
Riza Latifaj, 58 vjeç, ka mbërritur ditën e djeshme me gjithë armën në shtëpinë e tyre dhe pas konfliktit me bashkëshorten e tij nuk ngurroi ta përdorë për t’i vrarë. Hyn në mes e ëma për të mbrojtur jetën e së bijës, por plumbat e rrëzojnë për tokë. Më pas ndërhyn babai i nuses së agresorit. Për vrasjen e tij dyshohet se autori ka përdorur edhe thikë. Plumbat nuk kanë kursyer as vajzën e dy të moshuarve, ndërsa fieraku bashkë me armën e krimit është larguar nga vendi i ngjarjes, shkruan gazeta shekulli.
Gjithçka ka ndodhur në harkun kohor të 30 minutave në shtëpinë e Rexhep dhe Vasilika Muço-s, në lagjen “Llukan Prifti” të Kuçovës. Riza Latifaj ka kërkuar të takohet me gruan e tij që gjendej në familje dhe nuk pranonte të kthehej më në shtëpinë e tij. Mes tyre dyshohet se ka patur probleme të vazhdueshme, për më tepër çifti nuk kishte as fëmijë. Debati është ashpërsuar dhe bashkëshortja e tij i ka bërë të qartë faktin se nuk do të kthehej më kurrë të jetonte me të. Atëherë 58-vjeçari ka shkrehur armën për ta vrarë. Ka ndërhyrë e ëma, 66 vjeçe për ta shpëtuar të bijën, por Latifaj nuk ka ndaluar së qëlluari. Dyshohet se në atë moment Rexhep Muço, 68 vjeç ka shkuar në kuzhinë dhe ka marrë një thikë për të sulmuar agresorin. Por, autori i masakrës ka kthyer armën në drejtim të tij duke e qëlluar edhe atë. Më pas ka marr thikën dhe i ka dhënë edhe disa goditje me thikë duke e lënë të pajetë. Kanë ndërhyrë fqinjët e familjes Muço për tu dhënë ndihmën e parë të plagosurve dhe aty kanë mësuar se kryefamiljari kishte ndërruar jetë. Eshtë lajmëruar policia ndërsa nënë e bijë janë nisur në drejtim të spitalit me pak shenja jete. Rreth një orë më vonë, gruaja e moshuar ka vdekur, ndërsa vajza e saj, Engjëllusha vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën dhe pritet transportimi saj në drejtim të Spitalit Ushtarak. Policia ka nisur kërkimet dhe hetimet, por paraprakisht vrasja është klasifikuar për shkaqe banale
Policia: Presim dëshminë e djemve të çiftit të vrarë
Masakra që është regjistruar dje në Kuçovë, ka motiv pikërisht konfliktet familjare. Policia e Beratit është vënë në ndjekje të autorit, 58 vjeçarit Riza Latifaj dhe për arrestimin e tij është kërkuar bashkëpunim me policitë e Fierit dhe të Vlorës, pasi mendohet se vrasësi nuk ka njerëz të njohur në qarkun e Beratit. Policia e Beratit saktëson se personi përbën rrezikshmëri të lartë, aq më tepër pasi ka edhe armën e krimit me vete. Kështu në angazhim për arrestimin e tij janë thirrur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Beratit dhe të Fierit. Hetimet janë përqendruar mbi konfliktet e shumta mes çiftit nga Levani. Dëshmitarët-fqinjë me viktimat kanë treguar vetëm sherrin me zë të lartë që është zhvilluar në shtëpinë e tyre pak para krismave, ndërsa pritet ardhja e djemve nga Greqia për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes. shekulli/com.