Kryeministri Berisha ishte dje pranë qytetarëve të Lushnjës, në një bashkëbisedim të zgjeruar me ta, nga ku dëgjoi mendimet, opinionet, vërejtjet dhe sugjerimet të tyre lidhur me problematika të ndryshme në vend, për të cilat, kryeministri u shpreh se do të reflektohen për të patur një program sa më pranë qytetarit, në projektin e madh “Shqipëria e Zhvilluar Evropiane”
Në takimin, i cili vijoi konsultimet me qytetarët, Kryeministri priti me interesim dhe iu përgjigj një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh, nga ana e tyre, me premtimin se mandati i ardhshëm qeverisës do ta bëjë Shqipërinë, ashtu si çdo qytetar e ëndërron atë.
Midis te tjerash kryeministri ka theksuar:
"Bujqësia është një potencial i jashtëzakonshëm . Ju mund t'u duket çudi, por ne mendjen time dhe në imagjinatën time, ne jemi vetëm në agimin e saj, sepse potencialet e saj janë shumë më të mëdha se këto që kemi ne sot. Ky është një vend i bekuar, ne vërtetë nuk kemi shumë tokë, por e kemi plot me diell, plot me ujë, me njerëz punëtorë dhe kudo që hedh sytë shikon një potencial tjetër të madh për tu shfrytëzuar. Pak kohë më parë isha në Gosë dhe u kënaqa shumë kur pashë ullishtën në një kodër të lartë dhe vaditjen me pika, por ajo që më bënte më ambicioz është se kodra të tjera shumë më të mëdha se ajo prisnin të bëheshin ullishte. Pra, në këtë përpjekje për të bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar, jam i bindur se bujqësia ka dhe do të ketë peshë ndër më kryesoret. Këtë radhë ne kemi marrë një seri masash. Kështu do të fusim një paketë të re, në mënyrë që fermeri shqiptar të mund të konsolidojë fermën e tij, të mund të shndërrojë atë në një biznes të vërtetë. Ne po heqim çdo taksë, mbi çdo import, që lidhet me prodhimin bujqësor, blegtoral dhe të gjitha nëndegët. Çdo import që lidhte me përpunimin e tij për ne kjo paketë është të paktën 5 herë më e kushtueshme në buxhet se sa akciza e naftës të cilën edhe nuk e përjashtoj. I vetmi problem për ne është që të gjejmë skemën që të vijë direkt tek ju dhe të mos përfundojë xhepat e zyrtarëve të korruptuar. Edhe njëherë ju garantoj se vaditja është projekti numër 1 si investim për të 4 vitet që vijnë".