Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama si dhe nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie, Namik Dokle, Blendi Klosi, Saimir Tahiri e Vangjush Dako ka qenë në Prishtinë për të marrë pjesë në ceremonitë festive të zhvilluara me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ai ka qenë i pranishëm në pritjen zyrtare të organizuar nga autoritetet kosovare dhe më pas në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të përvjetorit të pestë të shpalljes së pavarësisë.
Në këto ceremoni solemne kryesocialisti Rama është takuar me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës, si presidente Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe Zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, të cilëve u ka uruar festën e pavarësisë dhe u ka shprehur angazhimin e plotë të Partisë Socialiste për të thelluar bashkëpunim institucional në kapërcimin e sfidave të përbashkëta dhe në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Ndërkohë që një takim të veçantë kreu i PS-së ka zhvilluar në mjediset e Kuvendit të Kosovës edhe me kryetarin e këtij kuvendit, Jakup Krasniqi.