English

Inagurohet Qendra e të Dhënave Qeveritare

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së të Dhënave Qeveritare, një investim me vlerë 3 milionë dollarë dhe i realizuar në kuadër të projektit “Shqipëria Dixhitale”. Ky investim, i pari i këtij lloji në administratën publike shqiptare, pritet të shërbejë si një pikë kryesore e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit të institucione të administratës. Aktualisht në këtë qendër të dhënash janë në funksionim mbi 12 shërbime të përqendruara qeveritare, për rreth 60 institucione të administratës publike që përfshijnë kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e tyre të linjës.

Kryeministri Berisha e cilësoi ngritjen e kësaj qendre si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe një arritje shumë të madhe. “Kam qenë dhe mbetem i bindur se kompjuteri, bota virtuale është leva e Arkimedit për të ndryshuar botën reale, për të ndryshuar jetën e individit”, u shpreh Kryeministri gjatë ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së të Dhënave Qeveritare. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin për të bërë gjithçka që qytetarët e këtij vendi të jenë ata që përfitojnë më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër, në rajon dhe më gjerë, nga bota virtuale, ICT-ja.

Kryeministri Berisha, ndërsa renditi disa nga sukseset që ka arritur Shqipëria në këtë fushë, u shpreh se horizonti i ardhshëm do të jetë Shqipëria Mobile, ku qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti. “Udhëtimi ynë në botën virtuale nuk do të jetë ecje, por vrapim. Ne do të vrapojmë pas horizonteve të saj, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të ekonomisë shqiptare, pasi është faktuar se Teknologjia e Informacionit përbën një mekanizëm të sigurt, të qëndrueshëm dhe shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim”, tha Kryeministri.

Qendra e të Dhënave Qeveritare është ngritur pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një sipërfaqe prej 672 m² dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike.

KOMENTE