English

Lame: shkatërrohet kryeqyteti nga plani Basha -Malltezi

Fakte dhe argumente të tjera janë paraqitur dje nga Partia Socialiste për të denoncuar shkatërrimin e kryeqytetit nëpërmjet planit urbanistik të hartuar nga Bashkia e Tiranës me oponencën mjedisore të dhëndrit të kryeministrit. Anëtari i grupit të Punës për programin në PS, Artan Lame gjatë një konference për shtyp ka prezantuar shqetësimin e qytetarëve për tre problematika të rëndësishme të Planit urbanistik:
1- Prishjen e skarpateve të gjelbra të lumit Lanë;
2- Prishjen e lulishteve ekzistuese dhe shtimin e hapësirave të gjelbra në bahçet e shtëpive private dhe tarracat e pallateve;
3- Ndërtimi në Parkun e Namasgjasë, jo vetëm të xhamisë së re, por edhe të ndërtesave shumëkatëshe me destinacion apartamente banimi dhe njësi shërbimi.
Artan Lame ka sfiduar publikisht këdo nga ekipi Basha-Malltezi, për të dalë në një debat televiziv, në cilindo televizion që ata do të duan dhe nga ana tjetër ka lajmëruar se PS do të vijojë të publikojë përditë pjesë nga plani urbanistik, duke u treguar bashkëqytetarëve tiranas se çfarë sëpate po ngrihet mbi kryeqytetin tonë.

Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën e anëtarit të grupit të punës për programin e PS, Artan Lame:

Megjithëse kanë kaluar disa ditë, as nga Bashkia Tiranë e zotit Basha, dhe as nga grupi i oponencës mjedisore i zotit Malltezi, nuk është dhënë asnjë përgjigje publike për pyetjet që po bëjmë që prej një muaji. Kemi publikuar listën e parqeve dhe lulishteve që sipas këtij Plani kthehen në zona ndërtimi. Ende presim përgjigje nga dikush që të ketë kurajën, të dalë dhe ta përgënjeshtrojë atë, por jo me fraza të përgjithshme, por emër për emër.
Nga dhjetëra telefonata dhe kontakte qytetarësh që të shokuar na pyesin, po veçoj sot vetëm tre prej tyre:

1. Tirana aktualisht ka vetëm një korridor të gjelbër, i cili i shërben të gjithë qytetit, Korridori i Lanës.
Pyesim: A i qëndrojnë z. Basha dhe z. Malltezi, hartës nr. 32 të Planit të tyre, e cila parashikon zënien e të dyja skarpateve të gjelbra të Lanës për të ndërtuar tramvajin?

2. Në vlerësimet që bën z. Malltezi për gjelbërimin në Tiranë, nuk ia thotë goja që të ruhen parqet dhe lulishtet ekzistuese, por flet vetëm për krijim parqesh të reja në erë.

Pyesim: A i qëndrojnë asaj që thuhet në f. 128 të Studimit, ku shkruajnë se për shtimin e gjelbërimit në Tiranë do të përdoret, citoj:
“-Gjelbërimi i bahçeve të shtëpive private;
-Gjelbërimi i tarracave të pallateve”.
Këtu babëzia i ka lënë vendin talljes me të gjithë ne.

3. Parku i Namasgjasë, f. 133 e Rregullores. Citoj:
“NënNjësia: 2/62.
Kategoritë e lejuara të përdorimit të tokës dhe strukturave në të: Nën-njësi strukturore e Përzier, Banim, Shërbim Publik dhe Përdorim i veçantë për qëllime fetare.

Tipologjitë e propozuara të strukturave: Zhvillime të strukturave të larta.


Koeficienti i shfrytëzimit të tokës për përdorimin banim (Ksht) shkon nga 50%-70%”.

Sot kjo Nënnjësi është e gjitha lulishte dhe, përveç kësaj është e vetmja lulishte historike e Tiranës; dhe për më tepër e shpallur edhe “Park monument Kulture”.Ftojmë këdo nga ekipi Basha-Malltezi, të ulemi në një tryezë publike në çfarëdo televizioni të duan, për të debatuar për të gjitha denoncimet e bëra prej nesh. Në ditët e ardhme do të vazhdojmë thjesht të citojmë vetëm pjesë nga Plani Basha-Malltezi, për t’ju shpjeguar bashkëqytetarëve tanë se çfarë sëpate po ngrihet mbi qytetin tonë.

KOMENTE