Interpoli, lista jopopullore e të cilit përpilohet sipas kritereve që ndërlidhen me ndikimin që kanë grupet e caktuara mafioze në krimin e organizuar, vrasje, tregti me narkotikë e armë, plaçkitje, ka radhitur mafien serbe si grupi i tetë më i fuqishëm mafioz në botë, shkruan portali i gazetës kroate ‘Vecernji List’.
Mafia serbe, e cila udhëhiqet nga Klani tashmë i njohur botërisht i Zemunit, ka depërtuar në mesin e dhjetë grupeve më të fuqishme kriminale botërore për shkak se operon në dhjetëra shtete, dhe për shkak se në listat e Interpolit gjenden 350 pjesëtarë të saj.
Por, përkundër një numri mjaft të madh të pjesëtarëve të mafies në shtetet ballkanike, këto shifra duken si lojë fëmijësh krahasuar me numrin e pjesëtarëve të mafies më të fuqishme në botë, që është ajo ruse. Mafia ruse numëron mbi gjysmë milion pjesëtarë, dhe kontrollon afro 70 përqind të ekonomisë ruse.
E dyta radhitet mafia italiane, me një “fitim” vjetor prej 100 miliardë eurosh, ndërkohë që në vendin e tretë të listës së Interpolit radhitet narko-karteli kolumbian. Krahas tregtimit me imigrantë ilegalë, edhe tregtia me kokainë del të jetë një ‘biznes’ fitimprurës për mafinë kineze - e cila supozohet se mban një të tretën e tregut të kokainës në botë - duke u radhitur kështu e katërta në listë.
Paralelisht, falë kontrollit të prostitucionit, pornografisë dhe lojërave të fatit, jakuzat japoneze, me afro 110,000 pjesëtarë, duket se me “meritë” e mbajnë vendin e pestë në listën e Interpolit. Vendi i gjashtë në listë është i rezervuar për mafinë meksikane, e cila pasohet nga mafia izraelite, që radhitet e shtata.
Në vendin e nëntë ndërkaq radhitet mafia shqiptare, specialitete të së cilës janë tregtia me narkotikë, armatim dhe me njerëz, pohon gazeta. Nënvizohet se pjesëtarët e saj e respektojnë kodeksin e tyre, të vjetër gjashtë shekujt.
Top-dhjetëshin e grupeve famëkeqe kriminale e përmbyll mafia e Xhamajkës, e cila këtë pozitë e siguroi falë vrasjeve tejet brutale dhe tregtisë me drogë.