Kryeministri Berisha vizitoi dje qendrën Burimore për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri, e njohur si qendra ProTIK. Qendra ProTIK, e krijuar si një partneritet publik - privat midis qeverisë shqiptare, qeverisë amerikane, kompanive ndërkombëtare dhe atyre shqiptare, si Microsoft, Cisco dhe Albtelekom, synon të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Shqipëri. Ajo ofron një mjedis teknologjik bashkëkohor ku biznese, sipërmarrës, akademikë, studentë apo profesionistë të TIK mund të punojnë, bashkëveprojnë e takohen. Qëllimet e saj janë promovimi i inovacionit dhe sipërmarrjes, stimulimi i kërkesës për TIK dhe promovimi i partneriteteve dhe rrjetëzimit profesional.
Kryeministri Berisha, pasi vizitoi dhe u njoh më nga afër me mjediset dhe mundësitë që qendra ofron, shprehu angazhimin se qeveria do të mbështesë me të gjithë mundësitë e saj veprimtarinë e suksesshme të ProTIK. Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi arritjet e Shqipërisë në këtë fushë, u shpreh se “në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte “Shqipëria dixhitale”, sot objektivi ynë është “Shqipëria - një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”.
Gjatë vizitës në qendrën ProTIK, Kryeministri Berisha u takua edhe me një grup fëmijësh, të moshës 10 - 15 vjeç, të cilët vinin në këtë qendër një herë në javë dhe në tre ardhjet e para ata kishin ndërtuar dhe komandonin në disa mënyra një robot. Kryeministri Berisha u njoh, gjithashtu, edhe me iniciativën e ndërmarrë nga një grup studentësh për një program për personat me aftësi të kufizuar, si dhe krijimin, nga një grup tjetër studentësh, të një portali për informimin e qytetarëve në kohë reale, për të gjitha ngjarjet që zhvillohen në Tiranë dhe në mbarë vendin.