English

Haxhinasto: Sektori minerar e nisi 2013 me një bilanc shumë pozitiv

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto, mori pjesë dje në seminarin me temë “Përgjegjshmëria sociale e koorporatave në industrinë nxjerrëse në Shqipëri” të organizuar nga OSBE, METE dhe Ambasada Kanadeze.
“Gjykoj se vlerësimi i impaktit social në një sektor të tillë, por edhe në përgjithësi në sektorët që garantojnë rritje është një detyrë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për politikebërjen, mirëqeverisjen, por mbi të gjitha është një detyrim i madh para qytetarëve dhe punonjësve shqiptare”, tha ministri Haxhinasto në fjalën e tij.
Duke u fokusuar në performancën e sektorit nxjerrës dhe përpunues të mineraleve, ministri renditi disa tregues pozitiv nga viti i kaluar, të cilët shërbejnë si bazë për të qenë të suksesshëm edhe për vitin në vazhdim.
“Këtë vit ne hymë në një bilanc shumë pozitiv përsa i takon të gjithë aspekteve në industritë nxjerrëse dhe përpunuese në vend. Vitin e kaluar arritëm një rritje të prodhimit vendas me 13% dhe impakti ishte gjithashtu i madh edhe në punësim me rreth 28% më shumë se një vit më parë, ose 10 mijë vende të reja pune”, u shpreh ministri.
Ministri Haxhinasto vlerësoi impaktin social që jep sektori nxjerrës dhe përpunues i minerareve në punësim. “Vlerësimi sa më i mirë i impakteve sociale që japin në këtë sektor vjen në kuadër të një rritje të qëndrueshme e cila ka në tërësinë e saj të gjitha aspektet, atë të efiçencës ekonomike, konkurrueshmërisë, si dhe aspektet e tjera që lidhen me mjedisin, me standardet e punës, pra me të gjithë ato faktorë që garantojnë rritjen e qëndrueshme”- tha z. Haxhinasto.
Sipas ministrit arsimimi profesional dhe kualifikimi janë themelore për efekte pozitive sociale. Por nga ana tjetër Haxhinasto vuri në dukje edhe sfidat që hasen në këtë sektor strategjik për ekonominë shqiptare. “Këto sfida lidhen kryesisht rreth punonjësit dhe qytetarit, por edhe rreth mjedisit dhe përfitimit të komunitetit vendor nga kjo industri dhe nga ky zhvillim”, tërhoqi vëmendjen ministri.
Sipas legjislacionit aktual 1/4 e rentës minerare me ligj duhet ti kalojë autoriteteve vendore. Për këtë nënvizoi ministri, mbetet akoma një objektiv që duhet realizuar, veçanërisht në ato zona që kanë intensitet të lartë të këtij sektori dhe ku komuniteti ka edhe më shumë nevojë për të administruar këtë të ardhur të rëndësishme.
Në këtë workshop merrnin pjesë ambasadori i OSBE-së z. Eugen Wollfarth, ambasadori kanadez z. James Fox, Ministri i Mjedisit z. Fatmir Mediu, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta z. Spiro Ksera, etj.

KOMENTE