English

Shqipëria një vend atraktiv me mundësi të mëdha për investim dhe rritje

Zv/kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, gjatë takimit te djeshem me përfaqësues të Dhomës së Fasonëve, tha se është me rëndësi që industria fason në Shqipëri të kalojë në disa transformime sasiore dhe cilësore, me qëllim mbylljen e ciklit të prodhimit në vend.

Sipas Ministrit prodhimi i lëndëve të para në Shqipëri është me shumë rëndësi. Ai theksoi se me incentiva të reja të ketë përqasje të integruar, organike për të gjithë procesin e prodhimit, “duke filluar mundësisht që nga prodhimi i lëndëve të para”.

“Besoj që tashmë, - vijoi ministri Haxhinasto, - duhet të ketë incentivë dhe angazhim nga sipërmarrjet shqiptare, që të plotësojnë me prodhim vendas ato segmente të prodhimit fason, që tashmë nuk prodhohen në Shqipëri. E kam fjalën për të gjithë lëndët e para, aksesorët të cilët kanë të domosdoshëm përmbylljen e ciklit të prodhimit, gjë që mes te tjerave, garanton më shumë punësim”.

Ministri tha se kjo ndërmarrje është impenjative dhe sfidë e madhe, por shprehu gjithashtu bindjen se “ekziston vizioni, kapaciteti dhe mundësia që kjo të realizohet në Shqipëri”. Ministri kujtoi se heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet apo heqja e tatimit mbi të ardhurat deri në 300 mijë lek të vjetra, “kanë ndikuar që përfitimi që ka kjo industri”, me mbi 100 mijë të punësuar, “shkon mbi 150 milionë euro”.

Gjithë këto incentiva, tha ai, duhet të shkojnë në funksion të punësimit.
Z. Haxhinasto garantoi mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe diskutimin e propozimeve për ndryshime ligjore, për të nxitur gjithashtu investimet brenda dhe nga jashtë vendit, në shërbim të “rritjes së prodhimit, rritjes së granteve, krijimit të brandeve, rritjes së punësimit”. Ministri theksoi se trendi i pranisë së invenstitorëve të huaj në ekonominë shqiptare është i qëndrueshëm, “pavarësisht se situatat nuk kanë qenë më të mirat qoftë në rajon, qoftë në eurozonë”. “Pra, - shtoi z.Haxhinasto, - Shqipëria shihet si një vend atraktiv me mundësi të mëdha për investim dhe për rritje”.
Kryetari i Dhomës së Fasonistëve, z. Gjergj Gjika falenderoi ministrin Haxhinasto për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar për të diskutuar mbi problemet që has ky sektor. Z. Gjika theksoi gjithashtu rëndësinë dhe lehtësimin që i ka bërë biznesit fason heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet si dhe nisma për heqjen e tatimit të të ardhurave personale mbi pagën 90 mijë lekë dhe më pas 300 mijë lekë të vjetra.

KOMENTE