Në ditën e dytë në Bruksel, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar një takim mjaft të rëndësishëm me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Europian, Stefan Fule.
Biseda Rama-Fule është përqendruar në çështje që kanë të bëjnë me përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit si dhe retorikën nacionaliste. Edi Rama e ka informuar Komisionerin mbi pikëpamjet e Partisë Socialiste në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe me standarde ndërkombëtare të pranueshme për botën demokratike ku ne duam të integrohemi. Kryesocialisti ka shprehur në takim vendosmërinë e forcës politike që drejton për të garantuar votën e lirë dhe drejtimin e vendin drejt BE duke lënë pas fantazmat e manipulimit e të nacionalizmit. Pas takimit kreu i Partisë Socialiste i është përgjigjur interesimit të gazetarëve.
- Çfarë mesazhesh morët dhe dhatë me komisionerin?
Është një urë që Komisioneri ka ngritur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, në funksion të mospërsëritjes së zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara, të krijimit të kushteve që Shqipëria të votojë për të bërë zgjedhjen që dëshiron. Që vota e çdo shqiptari të hidhet dhe të numërohet në kornizën e lirisë dhe të ndershmërisë së zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare të pranueshme për botën demokratike ku ne duam të integrohemi.
- A pati shqetësime të tjera për tema të ndryshme siç ishte çështja e nacionalizmit apo çështja e tre ligjeve?
Padyshim, që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, si aleati ynë i madh strategjik, kërkojnë një Shqipëri që të vazhdojë të shkojë përpara, duke mos rënë pre e tundimeve, që vijnë si jehonë e së shkuarës, duke i lënë pas fantazmat e të shkuarës nga nacionalizmi primitiv tek zgjedhjet e deformuara dhe të kontestuara. E në këtë aspekt, unë jam shumë i kënaqur që ne nuk jemi vetëm, që Shqipëria nuk është vetëm, që asnjë shqiptar, pavarësisht se për kë voton, nuk është vetëm në dëshirën e tij për ta parë veten dhe Shqipërinë brenda Familjes Europiane, për të votuar lirisht, për ta parë votën e tij të numëruar në mënyrë të ndershme dhe për të shkuar përpara përmes plotësimit të një axhende evropiane, që nuk ka të bëjë fare me fantazmat e së shkuarës.
- Në raport me edicionet e kaluara të zgjedhjeve, si e shikoni ju opozitën në këto zgjedhje. Në ç’pika duket se është më e organizuar?
Ne i kemi fituar zgjedhjet në zemrat dhe në mendjet e njerëzve, sepse sot shqiptarët duan një Shqipëri të rilindur, sot shqiptarët duan një ekonomi të rimëkëmbur, një shoqëri të ripërtërirë, një demokraci të rivendosur dhe padyshim një Shqipëri europiane. Çka na mbetet dhe që është sigurisht pjesa më e madhe e punës është që të garantojmë se vota për ndryshimin, vota për transformimin demokratik, vota për Rilindjen Shqiptare, do të jetë një votë që do të hidhet aty ku votuesi dëshiron dhe do të numërohet, ashtu sikundër kjo familje e madhe e popujve të ulur në tryezën e vlerave dhe parimeve demokratike e kushtëzon në mënyrë më të panegociueshme.
- Opozita do jetë një garant nga ana e saj për arritjen e standardeve në këto zgjedhje?
Që zgjedhjet të jenë ashtu siç të gjithë duam, së paku të gjithë ne që kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme prej kaq vitesh dhe bota demokratike, që e kërkon këtë nga Shqipëria për ta marrë Shqipërinë më pranë, duhet që çdo qytetar të bëjë detyrën e vet, të shkojë dhe të votojë. Të mos shkojë i vetëm këtë radhë, por të shkojë së bashku me të tjerë rreth e rrotull, me fqinj, me të afërm, me miq e me shokë, duke u kërkuar që të vijnë dhe të votojnë. E pastaj sigurisht, së bashku me të gjithë miqtë dhe partnerët e paçmueshëm të Shqipërisë, ne do ta garantojmë votën e çdo shqiptari.
- Pati ndonjë angazhim që ndërmorët sot nga Komisioneri për ndonjë çështje specifike, përfshirë zgjedhjet?
Nuk dua të hyj në detaje. Dua të them vetëm kaq: Bashkimi Europian së bashku me Shtetet e Bashkuara, apo krah për krah Shtetet e Bashkuara me Bashkimin Europian janë më afër se kurrë Shqipërisë dhe shqiptarëve në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.