S'ka prova, s'ka hetime lidhur me rastin e aferës korruptive për privatizimin e hotelit “Grand”, në Prishtinë.
Në këtë rast ka qenë i përfshirë zëvendës-kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, si pretendent për ta blerë këtë hotel nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ai kishte akuzuar ish-zëvendës-ministrin e Financave, Astrit Haraqija, dhe të tjerë, se në emër të ish-shefit të AKP-së, Dino Asanaj, i kanë kërkuar Pacollit rreth 4 milionë euro për të zhbllokuar kontestin e hotelit “Grand”.
Në aktvendimin, të cilin e ka siguruar Top Channel, thuhet se pas shqyrtimit të dëshmive, të mbledhura gjatë hetimeve paraprake, është vërtetuar se, me gjithë hetimet e plota dhe metodike, nuk janë siguruar informacione, të cilat do t’i mundësonin prokurorit të Eulex-it të identifikojë ndonjë vepër penale të kryer nga të pandehurit, në këtë rast, dhe ka fare pak të ngjarë, që hetimet e mëtejme do të siguronin ndonjë bazë të mjaftueshme për vazhdimin e hetimeve.
Procesi hetimor, në këtë rast, nisi më 17 shtator 2012 kundër Naser Osmanit, në cilësinë e anëtarit të bordit të AKP-së, Astrit Haraqijas, Ukë Rugovës, Adelina Asanajt dhe biznesmenëve Gazmend Abrashi e Burim Gahi, në lidhje me veprat penale të marrjes së rryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Supozohej se të pandehurit, duke punuar së bashku, janë munduar gjatë një periudhe kohore, që ta bindnin Behgjet Pacollin, që të paguante një shumë parash (mes 1 dhe 4 milionë eurosh) për zhbllokimin e privatizimit të hotelit “Grand”. Paratë supozohej se ishin të destinuara për të ndjerin Dino Asanaj, shkruan në aktvendimin e Eulex-it.
Njëri prej avokatëve të cështjes, Tomë Gashi, deklaroi se befasi ka qenë iniciimi i hetimeve për shkak të inçizimeve të një bisede mes shokëve. Por nuk është kurrfarë befasie, pushimi i hetimeve në këtë rast, sepse kjo ka qenë mënyra e vetme ligjore e mbylljes së rastit.