English

Basha inspekton punimet në 3 rrugë të kryeqytetit

Kryebashkiaku Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet e nisura nga Bashkia e Tiranës në 3 rrugë të kryeqytetit që shtrihen në “zemër” të tij, në njësinë bashkiake nr.10 dhe konkretisht rruga e ”Bogdanëve”, ”Gjon Muzaka” dhe ”Mihal Duri”.

“Fakti që ndodhemi në “zemër” të Tiranës dhe që hasim akoma probleme të tilla është tregues i sfidave të mëdha, i problemeve të mëdha me të cilat përballet qyteti ynë por fakti që brenda një kohe të shkurtër, ne po “ngacmojmë” dhe do të përfundojmë së zgjidhuri një problem i cili ka ekzistuar prej një kohe të gjatë është tregues i vendosmërisë, besimit të rigjetur tek Bashkia e Tiranës, për t’u shërbyer qytetarëve të saj në qendër dhe periferi. Mungesa e trotuarëve është penalizuese për këmbësorët, ndaj dhe jemi të vendosur që projektin ta realizojmë në të gjithë parametrat e tij me trotuare dhe veçanërisht rrugën “Mihal Duri”, trotuareve t’u shtohen edhe kangjellat mbrojtëse, në mënyrë që nga njëra anë qytetarët, veçanërisht fëmijët e të gjithë banorët që përdorin këtë zonë të jenë të sigurtë dhe nga ana tjetër edhe trafiku të ketë një parashikueshmëri të lëvizjes në këto rrugë” – u shpreh z. Basha.

Rruga e “Bogdanëve”, një investim prej 20.9 milionë lekësh ka një gjatësi 333 metra dhe gjerësi që varion nga 7 deri në 10 metra. Në të dy anët e rrugës parashikohet ndërtimi i trotuareve për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi 1.8 deri në 3 metra. Projekti parashikon dhe ndërtimin e sistemit të kanalizimeve. Afati i përfundimit të punimeve është 6 muaj.

Rruga “Gjon Muzaka”, një investim prej 9. 3 milionë lekësh ka një gjatësi 320 metra.Në të dy anët e rrugës parashikohet ndërtimi i trotuarëve për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi 1 deri në 3 metra. Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve.Afati i përfundimit të punimeve është 5 muaj kalendarikë.

Rruga ”Mihal Duri”, një investim prej 4.5 milionë lekësh ka një gjatësi 540 metra, me gjerësi që varion nga 7 deri 10 metra. Në të dy anët e rrugës parashikohet ndërtimi i trotuareve për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi 1 deri në 2.5 metra. Afati i përfundimit të punimeve është 3 muaj.

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka bërë të ditur se të gjithë kompanitë e telekomunikacionit kanë afat të zhvendosin kabllot e tyre ajrore deri më 1 janar të vitit 2014. “Të gjithë kabllot, - tha Kryebashkiaku - do të vendosen nën tokë.

“Ndërkohë, brenda datës 1 janar 2014, të gjithë furnizuesit me shërbimet e telekomunikacionit dhe internetit kanë afat të zhvendosin kabllot e tyre elektrikë dhe për këtë arsye dua t’u bëj thirrje sot të ndërlidhen me Bashkinë e Tiranës, për t’i vendosur ato në arterie si këto të sotmet ku po punohet dhe ku është edhe e lehtë, pasi rruga është e hapur. Kudo në qytetin e Tiranës, ku furnizuesit me këtë shërbim shprehin dëshirën e vullnetin e tyre, për t’iu bashkëngjitur investimit të Bashkisë për vendosjen e kabllove nëntokësorë, jo vetëm që nuk do të gjejnë pengesë por kanë mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të Bashkisë së Tiranës. Ne do të mundësojmë përmes një kuadri rregullator, që me një ndërhyrje të vetme dhe me sa më pak kosto në infrastrukturën e qytetit, të bëjmë të mundur që këto linja të zhvendosen anembanë qytetit. Sidoqoftë është përgjegjësi e tyre dhe besoj se afati është më se i mjaftueshëm për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi që është problem estetik, sigurie, është problem cilësie jetese” - theksoi z. Basha

Kreu i Bashkisë së Tiranës ka risjellë në vëmendje edhe propozimin që i ka bërë Këshillit Bashkiak, i cili mblidhet më 28 shkurt, për të miratuar listën me 260 objekte që do të pajisen me leje përdorimi, duke u hapur rrugën hipotekimit të tyre.

“Gjej rastin të komunikoj edhe njëherë sot për qytetarët e Tiranës, veçanërisht për ata që jetojnë në apartamente të blera sipas ligjit por që akoma nuk kanë lejet e përdorimit apo shfrytëzimit të tyre. Dua t’i siguroj se së bashku me infrastrukturën e përmirësuar, ne jemi të vendosur t’i japim edhe parametra të tjerë të qënit qytetarë dhe të jetuarit si qytetarë normalë evropianë, ato të titujve të pronësisë. Për këtë arsye në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të paraqitet lista e 260 objekteve të banimit, afro 11 mijë apartamenteve që përfitojnë nga akti normativ i qeverisë, për t’i pajisur ato me leje përdorimi dhe me pas hipoteka” – u shpreh z. Basha.

KOMENTE