English

Fier, bllokohen 4500 ton naftë bruto

Bazuar në një plan të përbashkët ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me qëllim kontrollin e ligjshmërisë së mallrave të akcizës, si dhe kontrollin e rregullshmërisë së faturave tatimore, gjatë ditës së sotme, është ushtruar kontroll tek subjektet tregtare për zbatimin e ligjit të akcizave për hidrokarburet.

Grupe të përbashkëta të Drejtorisë kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit, të Doganave dhe të Drejtorisë së Hetimit Tatimor kanë ushtruar kontroll në disa subjekte tregtare në territorin e Qarkut të Fierit, të cilët kanë si objekt të veprimtarisë së tyre tregtimin dhe magazinimin e hidrokarbureve.

Gjatë kontrolleve të ushtruara u bllokuan për verifikime të mëtejshme rreth 4500 ton naftë bruto dhe produkte të tjera të hidrokarbureve në subjektet tregtare “LADI 2008”, “A&A OIL 10 sh.a”, dhe “2K PLAKA”, pasi dyshohen se tregtohen dhe magazinohen në kundërshtim me Ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”.

Lidhur me këtë sasi të bllokuar do të kryhen verfikimet e nevojshme për sa i përket cilësisë së produkteve, origjinës së tyre, si dhe rregullshmërisë së faturave tatimore.

Këto kontrolle do të vazhdojnë dhe në subjekte të tjera gjatë ditëve në vijim.

KOMENTE