Kryeministri Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të ish-shefit të Komisariatit nr.6 të Policisë së Tiranës, Komisar Dritan Lamaj , i cili u ekzekutua nga dora kriminale një ditë më parë. Pas homazheve në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, Kryeministri Berisha shprehu dhimbjen për humbjen e Komisar Dritan Lamaj dhe njëherësh i përcolli ngushëllimet familjes së tij, shokëve, efektivëve të Policisë së Shtetit, të gjithë punonjësve dhe qytetarëve për këtë humbje. Kryeministri shprehu, gjithashtu, mbështetjen më të plotë të tijën dhe të qeverisë ndaj efektiveve të policisë, luftës së tyre me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe çdo lloj tjetër.
Në mesazhin e tij kryeministri Berisha u shpreh:
“Erdha të shpreh ngushëllimet më të sinqerta, nderimin tim më të madh për rënien në detyrë të komisarit Dritan Lamaj, njërin nga oficerët, komisarët e shquar të Policisë së Shtetit shqiptar. Ky akt kriminal, ky akt barbar do të marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor. Qeveria do të mobilizojë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe të gjithë rreptësinë e ligjit shqiptar.
Edhe një herë shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë për forcat e rendit publik. I garantoj qytetarët se krimi nuk do të mundet kurrë të mposht, vullnetin e tyre për të bërë ligjin në të katër anët e këtij vendi. Ngushëllimet më të thella familjes, miqve, të afërmve, por edhe të gjithë efektivit të Policisë së Shtetit.
Faleminderit.”