Dritan Lamaj, me detyrë kryekomisar në policinë e shtetit i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:45 mbrapa shkollës "Vasil Shanto", është vrarë për shkak të detyrës.
Ky konkluzion ka dalë nga grupi hetimor i cili ka bërë analizimin e ngjarjes dhe të provave të administruara.
Grupi hetimor, në përbërje të të cilit janë oficeret për hetimin e krimeve të renda, Prokurorë të Krimeve të Renda dhe Ekspertë kriminalistë, ka konkluduar se vrasja e kryekomisarit ka lidhje me detyrën e tij si punonjës i Policisë së Shtetit.
Kryekomisari ishte veshur me rrobën e Policisë së Shtetit prej rreth 20 vitesh. Lindi në Berat në vitin 1971 dhe që kur kishte përfunduar Akademinë e Policisë gjendej në radhët e bluve. Ka shërbyer në shumë detyra, me rendin dhe me krimet, thuajse gjithnjë në pozicionin e shefit të Komisariatit, kudo që ka lëvizur, ndërsa së fundmi Dritan Lamaj, me urdhër të Policisë së Shtetit, u vendos pikërisht pranë kësaj drejtorie në cilësinë e Specialistit në seksionin e Policimit në Komunitet. Dritan Lamaj, la komisariatin nr. 6 vetëm katër muaj më parë, ndërsa e drejtoi këtë komisariat prej më shumë se një viti. Ai banonte pikërisht në vendin ku edhe u qëllua mbrëmjen e djeshme për vdekje nga persona ende të panjohur për kolegët dhe eprorët e tij.
policia dhe grupi i hetimit janë mjaft të rezervuar në lidhje me dyshimet e tyre të para, burime policore fiksojnë faktin se për të hetuar ekzekutimin e Dritan Lamajt, ekspertët janë kthyer pikërisht në atë përplasje mes tij dhe një grupi të fuqishëm biznesi. Incidenti u bë publik, madje pati edhe protesta kundër drejtuesit të komisariatit. Opinioni publik u bë dëshmitar i qindra e mijëra fletushkave të shpërndara nëpër Tiranë në të cilat flitej për dhunën që ushtronte shefi i komisariatit mbi të ndaluarit. Pas përplasjeve të njëpasnjëshme, grupi i biznesmenëve u bashkua në një konferencë për shtyp dhe vendosën të padisin për dëme morale dhe civile kryepolicin e Kombinatit. Ndërkaq ata e akuzuan se ai bashkë me efektivët e vet vinin gjoba. Pavarësisht akuzave të njëpasnjëshme dhe të dyanshme, asnjëherë asnjë zë zyrtar i Policisë së Tiranës, Policisë së Shtetit dhe as strukturave të tjera përkatëse dhe përgjegjëse nuk reaguan për përplasjet mes policisë dhe personave. Në tetorin e vitit të kaluar, konflikti nisi për shkak të një adoleshenti nga Fushë-Kruja i cili denoncoi se u dhunua në ambientet e shkollës ku mësonte nga rojet e shkollës. Policia ndërhyri pas denoncimit dhe shoqëroi në komisariat personat që ishin denoncuar nga adoleshenti. Mes policisë dhe personave pati përplasje fizike të dhunshme e për pasojë policia shoqëroi disa persona. Nga ushtrimi i dhunës mbeti i plagosur biznesmeni A. Frroku, i cili u shtrua në Spitalin Ushtarak ndërsa një V. Gj. u shoqërua dhe më pas u mbajt në pranga. Gjykata e Tiranës dha për ta masën e arrestit me burg, ndërsa biznesmenit iu dha masa e arrestit në ambientet e spitalit ku edhe po mjekohej. Dy të arrestuarit akuzoheshin për kërcënim dhe ushtrim dhune ndaj efektivëve të policisë, por asnjë instancë e policisë së Tiranës nuk reagoi gjatë gjithë kohës së përplasjeve që efektivët e këtij komisariati patën me personat që denoncuan publikisht për ushtrim dhune, vënie gjobash. Një episod tjetër dhune, ku implikohet direkt ish komisari Lamaj, është denoncuar nga 38-vjeçarja Evelina Shabani, e cila kërkoi ndihmë për t’u mbrojtur nga dhuna e bashkëjetuesit të saj, por u dhuna nga Lamaj në ambientet e Komisariatit 6. Shabani depozitoi një kallëzim penal në Prokurori kundër Dritan Lamajt.