Vrasja e komisarit Dritan Lamaj, mbrëmjen e djeshme në zonën e Vasil Shantos në kryeqytet ka vënë në lëvizje të gjitha stukturat e policisë së shtetit për kapjen e autorëve të krimit.
Efektivët e policisë kanë zhvilluar kontrolle në dhjetra banesa në kryeqytet ndërsa kanë marrë në pyetje rreth 30 persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Gjatë kontrollit të një banese në zonën e Kasharit policia ka arritur të gjejë një arsenal armësh si automatik, snajper dhe municione.
Ndërkohë hetimet janë shtrirë edhe në qytetin e Durrësit, pas një denoncimi të mbërritur në polici për një makinë të vjedhur tip BMV.
Sipas policisë automjeti i vjedhur është në pronësi të shtetasit, Fatmir Lila, me targa "DR 1944 F".
Nuk ka ende detaje rreth denoncimit, ndërkohë që burime të policisë sqarojnë vetëm se hetimet për këtë i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila është duke hetuar edhe për vrasjen e ish-shefit të komisariatit nr.6 në Tiranë, Dritan Lamaj.
Fill pas ngjarjes së mbrëmshme policia ka njoftuar se është në kërkim një automjet tip BMW me targa të Durrësit, e cila mendohet se ka ndihmuar autorët e krimit të largohen.
Ndërkaq mësohet se denoncimi në Durrës është bërë gjatë mbrëmjes së të shtunës nga i zoti i automjetit, i cili pretendon se një person i maskuar ka përfituar nga momenti që automjeti ka qenë i ndezur dhe e ka grabitur.