Ish-sekretar i Përgjithshëm i PDK-së dhe aktualisht Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka sqaruar se nuk ka ndërmend të kalojë në ndonjë subjekt politik.
“Sqaroj se nuk mendoj të ndërroj subjekt politik”, tha Krasniqi, duke folur për gazetarët të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Por, ai nuk ka dhënë sqarime nëse mund të formojë parti të re, sikur kanë shkruar disa medie. “Tani për tani, ajo që kam thënë, vlen”, u përgjigj ai.
Gazeta Express, në numrin e të hënës, shkruan se Jakup Krasniqi po përpiqet të krijojë një subjekt të ri politik, duke rekrutuar zyrtarë të PDK-së që janë të pakënaqur me lidershipin aktual.
Burime të gazetës kanë thënë se kryetari i Parlamentit këtë ide ua ka shpalosur disa deputetëve. Në PDK kanë thënë se nuk dinë gjë për lëvizjet e Krasniqit, por pranojnë se ai po e sfidon seriozisht partinë.
Krasniqi, nëpërmes një letre publike të premten, sqaroi se nuk dëshiron të jetë pjesë e strukturave të dala nga Konventa e VI-të Zgjedhore e PDK-së, të cilën ai e quan jolegjitime. Ish-sekretari i Përgjithshëm, i cili ishte përfshirë në Kryesinë 33-anëtarëshe, së bashku me Fatmir Limajn, pa marrë pjesë fare në proces zgjedhor, tha se nuk e pranon këtë “dhuratë”, ndërsa e akuzoi sërish liderin Thaçi se e ka uzurpuar partinë.
Në letrën drejtuar, sikur thotë, anëtarësisë së PDK-së, Krasniqi shkruan se po vazhdon “me konsulenca, interesime dhe shestime idesh me anëtarë të niveleve të ndryshme të partisë; këtu përfshihen edhe të interesuar të tjerë që presin ndryshime pozitive në skenën politike të Kosovës”.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e shkarkimit nga pozita e kryeparlamentarit, me iniciativë të subjektit që i takon, Krasniqi tha të hënën se “me gjithçka që është në shërbim të proceseve demokratike jam i gatshëm të përballem”.
Shefi i grupit të deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri, ka lënë të kuptohet se ky subjekt opozitar nuk do ta mbështeste një shkarkim të mundshëm të Krasniqit, nëse një kërkesë shtrohet nga PDK-ja.
“Fatkeqësisht asnjë kërkesë e hajrit nuk ka ardhur asnjëherë nga PDK-ja. Prandaj kërkesat e tilla që do të vinin i konsiderojmë se nuk janë të hajrit, siç thotë populli, dhe nuk meritojnë me i përkrah”, tha Beqiri.
Beqiri, në një prononcim të mëhershëm, e kishte mirëpritur mundësinë e kthimit të Krasniqit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës parti i ka takuar para luftës. “LDK-ja ka qenë dhe mbetet shtëpi e madhe”, ishte shprehur ai.
Por, të hënën, ai sqaroi se LDK-ja nuk i ka bërë asnjë oferte Krasniqit.
Pas takimit me Kryesinë, kryeparlamentari Krasniqi njoftoi se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca. Të enjten do të mbahet seanca e kërkuar nga LDK-ja, me ç’rast kryeministri Hashim Thaçi do të raportojë për çështjen e bisedimeve me Serbinë, ndërsa të premten do të mbahet një seancë me kërkesën e Vetëvendosjes.