Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në përurimin e shërbimeve m-Tax dhe e-Pagesa, në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve, dy shërbime këto më inovativet në administratën shqiptare, në atë tatimore në veçanti.
Shërbimi m-Tax, taksat nga celulari, është aplikacioni i parë qeveritar për platformat celulare Apple (iPhone, iPad) dhe Android. Ndërtimi i këtij aplikacioni është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 13 milionë lekë, me anë të të cilit çdo tatimpaguesi i mundësohet të kontrollojë të gjithë situatën e tij tatimore nga telefoni celular, si dhe e ndihmon tatimpaguesin të deklarojë dhe paguajë në kohë detyrimet tatimore, pa qenë e nevojshme të paraqitet në sportelet e shërbimit të administratës. Në këtë mënyrë, reduktohen ndjeshëm kostot administrative të biznesit dhe krijohet sporteli i shërbimit Tatimor në dorën e tatimpaguesit.
Shërbimi i dytë është e-Pagesa, pagesa elektronike, është një investim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me vlerë 10 milion lekë. Sistemi i pagesës elektronike lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me bankat e nivelit të dytë për të realizuar pagesat nga biznesi, për llogari të administratës tatimore. Ky shërbim shkurton kohën që i duhet një biznesi të deklarojë dhe paguajë detyrimet tatimore, si dhe ul kostot administrative të tij, rrit transparencën dhe cilësinë e shërbimeve të administratës tatimore ndaj bizneseve.
Kryeministri Berisha u shpreh se me këto shërbime bëhet hapi i parë i madh drejt projektit të katër viteve që vijnë, projekt i cili do të konsistojë në m-Albania. “M-Albania, - tha Kryeministri, - synon t’u japë në dorë, në celularin e tyre, qytetarëve shqiptarë dhe biznesit të gjitha shërbimet e kësaj administrate, të gjithë informacionin që prodhon kjo administratë”.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që edhe doganat të adaptojnë me shpejtësi shërbimin e-Pagesa. “Unë i garantoj qytetarët se shërbimi e-Payment do të jetë një realitet i prekshëm nga të gjithë shqiptarët brenda vitit 2013”, tha Kryeministri.
“Le të kalojmë ne gradualisht tek monedha elektronike. Është padiskutim monedha më e pastër, më e sigurt, monedha më qytetare në kuptimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Ne kemi krijuar të gjithë infrastrukturën për të kaluar në këtë monedhë, e cila do të çojë Shqipërinë dhe tregun në tërësi shumë më përpara”, u shpreh Kryeministri Berisha.