Gjatë javës së fundit në Veriun e Mitrovicës ka patur shpërthime të cilat kanë tronditur banorët. Por ditët në vijim do të jenë shumë kritike për Mitrovicën, pasi pritet shpërbërja e strukturave paralele në veri sipas marrëveshjes së dy kryeministrave, ka thënë Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, gjatë takimit të Komitetit Lokal për Siguri Publike që u mbajt të hënën në Mitrovicë.
Kastrati ka apeluar tek organet përgjegjëse që ta informojnë drejt komunitetin serb në veri, për zbatimin e pakos së Ahtisarit, që do të ndodhë në ditët në vijim, duke e konsideruar këtë si shumë të rëndësishme.
“Sipas kësaj, është paraparë që të drejtat e komunitetit serb do të jenë të nivelit më të lartë në Evropë”, ka thënë ai.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka pohuar se ditët e fundit vërehet prezencë e shtuar e strukturave të sigurisë në veri, të cilat po ndikojnë në qetësimin e situatës së përgjithshme.