Biznesmeni Rrahim Pacolli kishte premtuar një ndihmë prej mbi një mijë euro për Lagjen e Boshnjakëve dhe kishte shkuar atje bashkë me ndihmat. Banorët qenë mbledhur rreth tij, por ai ishte kthyer pa i ndarë dhe pa u dukur më atje. Sipas Pacollit, nuk kishte organizim të mirë.
Artikulli i botuar në gazetën Jeta në Kosovë sqaron historinë e mosndarjes së ndihmave për familjet në nevojë.
Sabina Gashi ishte afruar te udhëkryqi i Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës ku banon, me shpresën se do të merrte një pako me gjëra ushqimore, si ndihmë humanitare, e cila pritej të ndahej nga Rrahim Pacolli dy ditë para Viti të Ri.
Por ajo më kot kishte pritur një orë. Makinat që kishin ardhur me drejtorin e kompanisë së sigurimeve “Siguria”, Rrahim Pacollin, do të ktheheshin pa i shpërndarë ndihmat e premtuara për 40 familjet.
“Ne të gjithë kemi nevojë. Si jugu si veriu është keq. Ne u mblodhëm të gjithë, ata erdhën deri te udhëkryqi dhe u larguan”, tregon Sabina Gashi e cila ka tre fëmijë dhe punon në një dyqan të vogël dy metra katrorë.
Ajo tregon se burri i saj është me terapi mjekësore dhe kjo e rëndon më shumë gjendjen ekonomike të familjes.
“Më vonë na u tha se nuk kanë pasur vend ku me i shpërnda. Por më mirë t’i shpërndante në rrugë sesa të kthehej pa ardhur sërish”, kujton Gashi.
Ajo thotë se nuk ka qenë e përfshirë në listën e ndihmave, por ka dalë me shpresën se mund të ketë për të gjithë. “Ndoshta ai është irrituar meqë jemi mbledhë të gjithë. Njerëzit këtu janë të hequr keq, të vuajtur”.
Banorët që kishin dalë të merrnin ndihmat dhe që s’kanë marrë asgjë në këmbim dyshojnë se ndihmat nuk u shpërndanë meqë s’kishte media të pranishme që ta filmonin ngjarjen.
“Sigurisht pritke me ardhë RTK-ja e s’ka ardhur”, thotë Fidan Kasapi, banor i kësaj lagjeje.
Edhe banorë tjerë të kësaj lagjeje ndihen keq me veprimin e Pacollit.
“Jemi afru, kemi pritë, kemi pritë dhe asgjë. Janë kthyer mbrapshtë. Menduam mos po vijnë një ditë tjetër por s’erdhi kush”, thotë Melihate Begu.
“Edhe familjarët e mi kanë dalë atë ditë. Pacolli ka ardhur me 3-4 makina. Po veç i ka mashtruar njerëzit. Ka luajtur me ndjenjën e tyre të nevojës”, thotë Fatmir Beqiri.
Pacolli fajëson organizatorët e Lagjes së Boshnjakëve
Biznesmeni Rrahim Pacolli tregon një version tjetër të ngjarjes së 29 dhjetorit.
“Ka qenë vendim i vështirë për mua. Nuk dija çfarë të bëj. Ishin ndihma në vlerë prej 1,200 ose 1500 euro e po më dilnin kaq problem”, thotë ai.
Rrahim Pacolli | Foto: Facebook
Pacolli fajësoi organizatorët e lagjes që nuk ka mundur t’i ndajë ndihmat për banorët e veriut.
“Aty ishin mbledhur shumë njerëz. Më shumë sesa ishin paraparë. Organizim nuk kishte dhe nuk kishte një njeri që na orientonte. Një djalë që ishte aty nuk më dukej serioz”, tha Pacolli për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ai thotë se ndarjen mund ta bënin menaxherët e kompanisë “Siguria”, por kishte zgjedhur të shkonte vetë atje.
“Është për t’u vlerësuar se unë kam shkuar aty. Kam humbur shumë orë. Një orë kam qëndruar jashtë. Ka qenë shumë ftohtë atë ditë. Sikur unë t’i shpërndaja për njerëzit që ishin aty kisha frikë se sapo të kthehesha unë do të grindeshin me njëri- tjetrin”, thotë Pacolli.
Pakot me ndihma humanitare më pas, sipas tij, ishin ndarë në fshatin Hajvali të Prishtinës.
“Kështu që, u ktheva, dhe ajo që bëra me ndihmat është se i shpërndava në Hajvali. Familjet i gjeta përmes hoxhës së fshatit. Ka qenë edhe televizioni aty, por unë nuk jam prononcuar”, thotë Pacolli.
Ai drejton kompaninë “Siguria”, e themeluar në vitin 2000. Bazuar në faqen zyrtare të saj, kompania ka marrë pjesë në disa aktivitete humanitare.
Por, përfaqësuesit të lagjes së Boshnjakëve, Florent Azemit, i cili kishte kontaktuar me Pacollin, nuk i duken arsye të mjaftueshme çështjet organizative.
Ai thotë se e kishte lënë një listë ku ishin emrat për ata që duhej të merrnin ndihmat. Sipas tij, Pacolli po të kishte interesim do të kthehej një ditë tjetër.
“Unë atë ditë kam qenë i zënë me një organizim tjetër sepse Komuna e Mitrovicës ndante në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë për 15 familje nga 50 euro, si dhe firma ‘Arjeta’ ndante ndihma për 33 familje. Kah mesdita më thirri dikush prej stafit të Pacollit dhe më tha se po vinin në Lagjen e Boshnjakëve. Meqë nuk kisha kohë e luta një shok timin që të monitorojë. Atyre ua lash edhe një listë me emra prej 40 personash”, thotë Azemi.
Azemi po ashtu e përmend edhe një premtim të pambajtur të kushëririt të Rrahim Pacollit , Behgjetit, i cili aktualisht është zëvendës kryeministër
Thotë se Behxhet Pacolli kishte dhënë një premtim të ngjashëm në vitin 2006, por që nuk e ka realizuar as pas shtatë vitesh.
“Unë shpresoj se ato ndihma do të vijnë sepse nevoja vazhdon. Ne e lusim edhe Behgjet Pacollin ta mbajë premtimin për dy shtëpitë e premtuara për familjen Mërnica dhe Rakoteli”, thotë ai.
Kurse, Rrahim Pacolli thotë se nëse e thërrasin do të shkojë t’i ndajë edhe një herë ndihmat.
“Le ta organizojnë edhe një herë, do të shkoja, pse jo”, thotë ai.