English

AKU-ja sqaron publikun lidhur me gjetjen e Aflatoksinës në qumësht

Në vijim të komunikimit dhe bashkëpunimit që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka patur me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e AKU ka reaguar gjatë ditëve të fundit për të verifikuar dyshimet për gjetjen e Aflatoksinës në sasitë e qumështit të prodhuar në Shqipëri, me destinacion EKSPORTIN (kryesisht drejt Kosovës).
Në deklaratën e AKU-së thuhet:

"Rezultatet e analizave paraprake që u bënë gjatë së hënës në laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë na bëjnë të dyshojmë për përmbajtje mbi normat e lejuara nga Bashkimi Europian, të Aflatoksinës në partitë e kontrolluara të disa subjekteve shqiptare dhe atyre të importit. Këto rezultate mbeten paraprake, pasi ISUV ende nuk është laborator i akredituar për analizat e Aflatoksinës.

Pavarësisht kësaj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, duke menduar së pari për sigurinë e konsumatorit shqiptar, ka zhvilluar dje me urgjencë një takim me subjektet në fjalë dhe po brenda ditës së djeshme, dt 25 shkurt, u ka kërkuar atyre që të tërheqin vullnetarisht të gjitha produktet e dyshuar për përmbajtje Alfatoksine nga tregu, deri në përfundimin e analizave mbi të gjitha partitë e mallit që janë gjendje në magazina apo në rrjetin shpërndarës.

Gjithashtu, ne do të marrim të gjithë masat që këto analiza që janë kryer tashmë, por edhe ato që do të vijojmë të kryejmë, të konfirmohen në olandw, laboratorë të akredituar nga Bashkimi Europian. E marrim këtë masë, për arsye se as laboratorët e Shqipërisë dhe as ata të Kosovës, ende nuk janë akredituar për kryerjen e analizave të mykotoksinave.

MBUMK dhe AKU kanë nën kontroll të plotë situatën. Nga të dhënat paraprake, gjykojmë që shkaqet të jenë të karakterit sezonal për arsye se institucionet tanë e kanë mbajtur vazhdimisht nën monitorim këtë industri dhe kanë zbatuar me përpikmëri Planin Kombëtar të Mbetjeve, për të cilin raportojmë çdo vit në Bruksel. 17 analizat e kryera vetëm për Aflatoksinën në zbatim të këtij plani për vitin 2012 kanë rezultuar negative.

Dua të sqaroj opinionin publik se në shtete të ndryshme normat e lejuara të Aflatoksinës janë të ndryshme. Dua të sjell shembullin e SHBA-ve, të cilat kanë një normë të lejuar 10 herë më të lartë se norma e BE-së dhe e Shqipërisë. Dhe rezultatet e analizave mbi të cilat është ngritur dyshimi ynë tregojnë një normë shumë më të ulët se sa ajo e lejuar në SHBA.

Dua të përfitoj nga ky rast që falënderoj autoritetin homolog të Kosovës, me të cilin bashkëpunojmë ngushtësisht, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe ruajtjen e standardeve të sigurisë ushqimore në tregjet respektive. Po kështu, një falënderim të veçantë dua t’u bëj mediave të të dy vendeve tona, për sensibilizimin e tyre qytetar, për çështjet me ndjeshmëri të madhe për publikun."

Gjithashtu Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero deklaron se ekspertët janë të angazhuar për të qartësuar cështjen e qumështit me aflatoksinë, e cila është gjetur në doza të vogla në këtë produkt.

"Me urdhër të ministrit do të kontrollohet qumështi në çerdhe dhe kopshte. Do të çojmë mostrat në Itali për të matur nivelin e aflatoksinës në qumësht dhe do të hetojmë efektin epidemiologjik që ka dhënë ky qumësht tek popullata", u shpreh Pipero në një konferencë për media, paraditën e të martës.

Pipero sqaroi se qumështi me nivel të lartë aflatoksine do të hiqet nga tregu.

Kreu i AKU-së shpjegoi se analizat do te kryhen në një laborator të akredituar në vendet e BE-së dhe i është kërkuar subjekteve në mënyrë vullnetare të tërheqin produktet e dyshuara.

"Rezultatet paraprake të dala nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare na bëjnë të dyshojmë, që norma e aflatoksinës në ato parti malli të dyshuara, pra që janë të deklaruara edhe nga institucioni homolog në Kosovë është mbi nivelin e Bashkimit Europian. Ne jemi duke punuar për të identifikuar se nga vjen një shkallë e tillë, sepse industrinë e kemi gjatë gjithë kohës nën kontroll", thotë kreu i AKU-së, Artan Gjergji.

KOMENTE