Ditën e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme, duke ofruar njëkohësisht edhe stimulin e nevojshëm monetar për mbështetjen e kërkesës së brendshme.
(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)
***
Inflacioni vjetor shënoi 2.7% në muajin janar. Pjesa më e madhe e inflacionit, ose rreth 75% e tij, vjen nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore. Në këtë kontekst, ndikimin më të madh e patën ushqimet e papërpunuara, të cilat regjistruan norma dyshifrore rritjeje. Çmimet e kategorive të tjera të shportës së konsumit shënuan luhatje të vogla, duke ruajtur një kontribut të ulët në inflacion.
Në aspektin makroekonomik, inflacioni është shkaktuar nga prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara të prodhimit, ndërkohë që goditjet e ofertës kanë munguar. Rritja e ngadaltë e kostove të prodhimit dhe marzhet e ulëta të fitimit të biznesit janë reflektuar në nivele të ulëta të inflacionit bazë dhe të atij total. Krahas tyre, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, pritjet e ankoruara inflacioniste dhe shkalla e ulët e zgjerimit monetar kontribuan në ruajtjen e stabilitetit të cmimeve.
Ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur poshtë potencialit të saj gjatë vitit 2012. Informacioni i ri ekonomik e monetar konfirmon përgjithësisht vlerësimet tona të mëparshme për praninë e një hendeku negativ prodhimi. Nga ana e kërkesës, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve neto, ndërkohë që kërkesa e brendshme vlerësohet të ketë dhënë një kontribut të vogël. Shkëmbimet tregtare në mallra gjatë tremujorit të katërt tregojnë një rritje vjetore të eksporteve me 12% dhe një rënie vjetore të importeve me 9.5%. Rrjedhimisht, deficiti tregtar nominal u ngushtua me 20.1% në terma vjetorë, duke siguruar një kontribut pozitiv në rritjen e kërkesës agregate në këtë tremujor. Nga ana tjetër, kërkesa e brendshme mbetet e plogësht, si pasojë e hezitimit të konsumatorëve dhe bizneseve për të konsumuar dhe për të investuar.
Gjithashtu, kushtet e kreditimit paraqiten ende të shtrënguara si pasojë e kujdesit më të lartë të bankave në kredidhënie. Shpenzimet buxhetore kanë rënë me rreth 0.3% në terma vjetorë, të diktuara kryesisht nga tkurrja e shpenzimeve kapitale. Edhe të ardhurat e mbledhura gjatë vitit rezultojnë me rënie, duke çuar në reduktimin e deficitit buxhetor me rreth 1.2% në krahasim me vitin 2011. Megjithatë, politika fiskale ka marrë natyrë stimuluese në tremujorin e katërt, e materializuar në rritjen me 35% të deficitit buxhetor në këtë periudhë. Ndonëse në terma të ulët, shpenzimet publike pritet të kenë një kontribut pozitiv në aktivitetin ekonomik të vitit 2013.
Politika monetare forcoi natyrën e saj lehtësuese në muajin janar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit në nivelin më të ulët historik prej 3.75%. Ky lehtësim është përcjellë në normat e interesit të tregut ndërbankar gjatë muajit shkurt, ndërkohë që në vazhdim pritet të shohim një tejçim të saj edhe në segmentet e tjera të tregut financiar.
Kërkesa e ulët e qeverisë për financim ka ushtruar presione rënëse mbi yield-et e letrave me vlerë të qeverisë.
Në tërësi, zhvillimet monetare dhe financiare tregojnë për presione të ulëta të inflacionit dhe të rrezikut të likuiditetit. Treguesit monetarë kanë vijuar ngadalësimin edhe në muajin dhjetor. Rritja vjetore e ofertës së parasë zbriti në 5.0%. Burimi kryesor i rritjes së parasë ishin zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë, ndërkohë që kërkesa e sektorit të brendshëm për para ka qenë e ulët. Kërkesa relativisht e ulët e qeverisë për financim dhe rritja e interesit të individëve për të investuar në tituj të borxhit publik është reflektuar në rënien e financimit të deficitit buxhetor nga sistemi bankar. Gjithashtu, kredia për ekonominë ka shënuar norma të ulëta të rritjes vjetore, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Përdorimi i monedhës vendase përkundrejt asaj të huaj në tregun e kredisë është rritur, duke mundësuar një përcjellje më të mirë të sinjaleve të politikës monetare në ekonomi.
Informacioni i ri i marrë deri tani rikonfirmon projeksionet tona për zhvillimet e ardhshme ekonomike.
Rritja ekonomike në periudhën në vazhdim do të jetë e kushtëzuar nga ecuria e ekonomisë botërore dhe e partnerëve tanë tregtarë, nga natyra e politikës fiskale dhe nga rritja e produktivitetit. Aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të jetë i dobët edhe gjatë vitit 2013. Ai do të vazhdojë të mbështetet nga rritja e eksporteve neto, por në një masë më të vogël se ajo e vitit që lamë pas. Ky parashikim mbështetet në vlerësimet jo-inkurajuese për aktivitetin ekonomik në vendet partnere, por ai reflekton gjithashtu edhe shkallën e ulët të diversifikimit të eksporteve tona. Kërkesa e brendshme pritet të mbetet në nivele të ulëta, duke reflektuar dobësinë e konsumit dhe të investimeve private dhe një kontribut pozitiv të sektorit publik. Duke faktorizuar të gjithë informacionin e disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se, me një probabilitet 90%, inflacioni i çmimeve të konsumit parashikohet të luhatet në intervalin 0.8 – 3.8% pas 12 muajsh.
Ky vlerësim faktorizon projeksionet tona për vazhdimësinë e hendekut negativ të prodhimit, për presione të dobëta nga çmimet në tregjet botërore dhe për pritje të ankoruara të agjentëve ekonomikë.
Si konkluzion, Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste do të mbeten të dobëta gjatë horizontit afatmesëm.
***
Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.75%. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare stimuluese, për sa kohë që presionet inflacioniste do të mbeten të dobëta. Kushtet monetare stimuluese mbështesin rritjen e kërkesës agregate dhe shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve prodhuese, duke krijuar premisat për respektimin e objektivit të inflacionit në afat të mesëm.