English

Juristi Vexhi Muçmata, do të udhëheqë ekipin e Rilindjes për Kukësin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka prezantuar dje pasdite një tjetër pjesëtar të skuadrës kombëtare për Rilindjen Shqiptare.

“Juristi Vexhi Muçmata do të udhëheqë drejt fitores skuadrën tonë të rilindjes për Kukësin”, është shprehur kryesocialisti, i cili e ka përshkruar pjesëtarin më të ri të skuadrës socialiste si një burrë të urtë, njeri fisnik, djalë i komunitetit kuksian, me një familje të respektuar e rreth të gjerë shoqëror.

Kreu i PS-së ka renditur në fjalën e tij problemet më të mëdha që ka sot Kukësi, ku 70% e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike, ndërsa kush përpiqet të mbijetojë me bujqësi përpëlitet në kurthin e braktisjes nga shteti. “Unë i jam shumë mirënjohës Vexhiut që ndërpreu karrierën e tij të gjatë dhe të panjollosur profesionale në drejtësi, për të kontribuar që edhe komuniteti kuksian të rilindë ekonomikisht pa qenë i detyruar t’a braktisë Kukësin për shkak të varfërisë, papunësisë, rrënimit social”, ka theksuar Rama në fjalën e tij.

Ndërsa anëtari më i ri i skuadrës socialiste, Vexhi Muçmata është shprehur se e ka pranuar ftesën e kryesocialistit Rama me qëllimin që t’ju shërbejë të gjithë banorëve të qarkut të Kukësit pa dallime partiake. “Unë do të jem një derë e hapur për çdo banor të qarkut të Kukësit. Do të jem një derë e hapur për t’i pritur, për t’i dëgjuar, për t’ju shërbyer si dhe për të bërë më të mirën e mundshme për zgjidhjen e problemeve të tyre”, është shprehur Muçmata, i cili në mbyllje të fjalës së tij ka falënderuar kreun e PS-së, Edi Rama, por edhe gjithë strukturat drejtuese të kësaj partie si dhe anëtarësinë e saj.

KOMENTE