English

MPJSH-së: Agjencia "Presheva Jonë" ka spekuluar me deklarimin e ministrit Panariti

Lidhur me intervistën e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, të publikuar në agjencinë informative “Presheva Jonë”, Ministria e Punëve të Jashtme sqaron se titulli dhe përmbajtja e saj janë speculative, dhe nuk përkojnë me atë që ka deklaruar Ministri Panariti gjatë kësaj interviste.

Gjatë intervistës, Ministri Panariti ka theksuar se çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të zgjidhen vetëm përmes dialogut konstruktiv mes Qeverisë Serbe dhe autoriteteve lokale atje.

Në këtë kontekst është vlerësuar vëmendja që faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë i kanë kushtuar zhvillimeve të fundit në Luginën e Preshevës, ku ka spikatur roli ndërmjetësues i OSBE-së.

Ndërkohë, Ministri Panariti ka theksuar se Qeveria Shqiptare ka detyrim kushtetues të interesohet për të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata ndodhen, në përputhje me të gjitha aktet ndërkombëtare në fuqi.

Ministri Panariti ka përsëritur mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë dialogut mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, dhe i është bashkuar apelit ndërkombëtar për zbatimin e plotë e pa vonesë të të gjithë marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të këtij dialogu. Ministri Panariti ka përsëritur qëndrimin e pandryshuar të Shqipërisë për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke u shprehur kundër ndarjeve dhe shkëmbimeve të territoreve në rajon.

KOMENTE