Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot një grup të studentëve nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti Amerikan në Kosovë.
Me financimin e MPJ-së, këta studentë kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës në konferencën “Harvard National Model United Nations”, që është njëra ndër konferencat studentore më të mëdha dhe më prestigjioze që organizohen në botë.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka falënderuar grupin e studentëve dhe ka shprehur përkrahjen e për iniciativave të tilla edhe në të ardhmen nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ai ka vlerësuar lartë përfaqësimin e Kosovës në këtë konferencë prestigjioze.
“Ju jeni imazhi i gjallë i Kosova jashtë vendit, me pjesëmarrjen e juaj ju keni nderuar MPJ-në dhe Republikën e Kosovës”, ka shtuar ministri Hoxhaj.
Ai iu ka premtuar grupit të studentëve se ata mund të llogarisin në mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme në projekte të tilla, që forcon edhe më shumë prezencën e Kosovës në botë.
Nga ana tjetër, ky grup i studentëve ka falënderuar ministrin Hoxhaj për mbështetjen financiare që ka dhënë MPJ, e cila ka mundësuar pjesëmarrjen e tyre në këtë konferencë.
Konferenca “Harvard National Model United Nations“ çdo vit zgjon interesimin e më shumë se 200 universiteteve dhe 3000 studentëve në mbarë botën. Ky është forum, ku studentët nga të gjitha universitetet botërore takohen dhe diskutojnë për sfidat më të mëdha që sot bota ballafaqohet, si në aspektin ekonomik, social, luftën ndaj varfërisë dhe terrorizmit dhe dukurive tjera negative.
Pjesëmarrja në këtë konferencë është e një rëndësie madhore, jo vetëm për grupin që drejtpërdrejtë do të jenë pjesëmarrës në këtë projekt por edhe për Universitetin e Prishtinës dhe për Kosovën në përgjithësi.