Dje janë nënshkruar marrëveshjet për Hidrokarbure Shtesë të kontratave me ndarje prodhimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe kompanisë kanadeze “Petromanas Albania GmbH”, për blloqet e kërkimit A-B dhe D-E në tokë, në territorin shqiptar.
Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve përbën një hap të mëtejshëm në bashkëpunimin e suksesshëm ligjor dhe institucional që Ministria e Ekonomisë, Tregtise dhe Energjetikes ka me kompaninë “Petromanas Albania GmbH”, e cila aktualisht është kompania që ka investimet më të mëdha përsa i përket aktivitetit të kërkimit të hidrokarbureve në Shqipëri, në blloqet e reja të kërkimit.
Marrëveshjet u nënshkruan nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Dael Dervishi dhe Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Petromanas Albania GmbH” z. Malfor Nuri.
Ndërkaq kompania “Petromanas Albania GmbH” në një bashkëpunim me kompaninë SHELL International është duke kryer aktivitet për kërkimin e hidrokarbureve në blloqet 2 dhe 3 të kërkimit, që shtrihen në zonën Berat – Tepelenë. Aktualisht këto kompani janë angazhuar në shpimin e një pusi të thellë (rreth 5500 m), pusi Shpiragu-2, në strukturën e Shpiragut, ku pritet zbulimi i një vendburimi të ri nafte.