Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, mori pjesë në Darkën Transatlantike të organizuar në Romë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, z. Giulio Terzi. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me çështjet aktuale në fushën e sigurisë që janë në agjendën e NATO-s dhe Bashkimit Europian dhe sidomos për krizën në Siri, situatën në Afganistan dhe luftën kundër terrorizimit.
Gjatë darkës, Ministri Panariti u takua me Sekretarin amerikan, z. John Kerry. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan raportet e shkëlqyera që ekzistojnë mes të dy vendeve. Ata vunë në dukje se të dy qeveritë ndajnë pikëpamje të përbashkëta për çështjet që lidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me gjerë.
Ministri Panariti theksoi se prioritet i Qeverisë Shqiptare është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, përmes një politike të hapur dhe konstruktive. Në këtë kontekst, ajo ka synuar forcimin e kohezionit të faktorit shqiptar në rajon në shërbim të stabilitetit dhe frymës së mirëkuptimit mes vendeve. Gjithashtu, ai tha se Qeveria Shqiptare ka inkurajuar dhe përshëndetur dialogun e vendosur mes autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.
Sekretari Kerry përshëndeti rolin konstruktiv që luan Shqipëria në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal. Ai vlerësoi, gjithashtu, partneritetin që ka ofruar Shqipëria si anëtare e NATO-s në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe vlerave të demokracisë në zona të ndryshme të botës.
Ministri Panariti u takua edhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton. Gjatë takimit, Ministri Panariti theksoi se Qeveria Shqiptare është e angazhuar për përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendit. Gjithashtu, një sfidë madhore e saj mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare.
Nga ana e saj, Baronesha Ashton konfirmoi mbështetjen për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe inkurajoi politikën shqiptare që të gjejë konsensusin për zbatimin e të gjitha kritereve të vendosura nga Komisioni Europian. Ajo informoi se parashikon të zhvillojë së afërmi një vizitë në Shqipëri, ku temë kryesore në takimet me zyrtarët e lartë të shtetit do të jetë integrimi europian dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.