English

Berisha merr pjesë në inagurimin e shërbimit elektronik e-Matura

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në përurimin e shërbimit elektronik e-Matura në portalin qeveritar www.e-Albania.al, në kuadër të sistemit të Interoperabilitetit, ceremoni e cila u zhvillua në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë. Sistemi i Interoperabilitetit dhe Portali Unik Qeveritar www.e-albania.al është një financim i Bashkimit Evropian, me vlerë 2.3 milionë euro, i zbatuar nga kompania italiane CSI Piemonte dhe kompania shqiptare Infosoft Systems.
Portali është projektuar që të ndërveprojë si një qark inteligjent, duke shërbyer si një pikë e vetme aksesi për qytetarët, për të gjitha shërbimet e ofruara nga administrata publike dhe institucionet përfaqësuese të saj. Në këtë portal, qytetari apo biznesi do të gjejë informacione të detajuara mbi shërbimet qeveritare në përgjithësi dhe shërbimet elektronike në veçanti, siç është edhe aplikimi për maturantët, i cili është shërbimi i parë i integruar në këtë platformë unike të qeverisë shqiptare. Portali është vetëm ndërfaqja me qytetarin e një sistemi shumë të komplikuar, por edhe inovativ unik në karakterin e tij, ai i Interoperabilitetit të Sistemeve.

Në këtë sistem, të ngritur tashmë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nëpërmjet financimit të Bashkimit Evropian (BE), kanë nisur të lidhen dhe janë lidhur sisteme si Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, QKL, QKR, Matura Shtetërore, etj. Gjithashtu, në këtë portal, në vijueshmëri të sistemit të Interoperabilitetit do të publikohet edhe sistemi i “Gjurmueshmërisë”, i cili shumë shpejt do të bëjë të mundur gjurmueshmërinë e aplikimeve të qytetarit dhe biznesit, fillimisht për sistemet QKR, QKL dhe APP duke proceduar me sisteme të tjera në vazhdim.

Kryeministri Berisha u ndal në një kabinet të informatikës në këtë shkollë, u takua me maturantë dhe ndoqi nga afër se si ata mund të kishin akses edhe mund të aplikonin nëpërmjet këtij portali. “Pak vite më parë pranimet në universitete ishin panairi i korrupsionit. Së pari, në universitete pranoheshin jo më shumë se 1/5 e maturantëve dhe së dyti kryej batërdia nëpërmjet ndërhyrjeve. Sot ka zero ndërhyrje”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se “sistemi i vendosur garanton transparencën maksimale”.

Inaugurimin e këtij portali, Kryeministri Berisha e cilësoi të një rëndësie shumë të madhe për të gjithë vendin. “Janë rreth 340 shërbime shtetërore, qeveritare, të cilat do t’u ofrohen qytetarëve shqiptarë”, tha Kryeministri, duke shtuar se “ky do të jetë portali i One Stop Shop për të gjitha kërkesat dhe për të gjitha aplikimet e qytetarëve”. Kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka që edhe ato agjenci të cilat ende nuk janë online, të kompletohen shumë shpejt online. Kryeministri Berisha përgëzoi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe punonjësit e saj që realizuan këtë punë të shkëlqyer, si dhe shprehu falënderime të përzemërta për financuesin, Bashkimin Evropian, i cili financoi realizimin e këtij projekti.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se “nuk do të lëmë përpjekje pa bërë, nuk do të lëmë projekt pa zbatuar që të kapim çatinë e botës sa i përket moshës dixhitale dhe në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin më të shpejtë, më transparent dhe të fitojnë kohën më maksimale”.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se zhvillimi i teknologjisë së informacionit është një levë e fuqishme e zhvillimit ekonomik. “Është e faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se një përqindje e vogël e rritjes ekonomike përcaktohet nga zhvillimi i shoqërisë së informacionit. Të gjitha shërbimet e portalit e-Albania do të jenë të disponueshme në telefonin celular dhe në kompjuter. Qëllimi ynë është: katërvjeçari i ardhshëm, m-Albania. M-Albania, sepse telefoni celular është një kompjuter në xhep dhe është një lehtësi shumë e madhe”, tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se “do të bëjmë çdo gjë, do të krijojmë çdo kusht që studiuesit shqiptarë të dëgjohen në mbarë botën në fushën e ICT-së”. “Qëllimi kryesor është që Shqipëria të jetë një qendër e rëndësishme rajonale në teknologjinë e informacionit. Disa shqiptarë janë nga emrat e shquar në botë në ICT. Një prej tyre është Donald Leka, i cili ka paraqitur një variant të iPad-it, Glide OS dhe u rendit 1 nga 100 novatorët më të shquar në SHBA, vitin që e paraqiti. Ka edhe të tjerë që punojnë në qendrat më të avancuara të planetit në këtë fushë. Ju e dëgjuat që një shqiptare fitoi grantin më të madh në Evropë për studimin e saj në këtë fushë. Dhe këta janë të gatshëm të na ndihmojnë dhe të bashkëpunojmë. Të bëjmë që ashtu siç kemi mendjen, të mprehtë, brilante, edhe soft-et që do të hartojmë ne të njihen në mbarë botën”, u shpreh Kryeministri.

KOMENTE