English

Kryesia e forumit të Gruas Socialiste

Është mbledhur sot Asambleja Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste. Olta Xhaçka, kryetare e Forumit të Gruas Socialiste, u shpreh e kënaqur për fuqizimin e kësaj organizate në çdo cep të Shqipërisë duke ofruar një mbështetje të pakursyer për PS-në.
Më poshtë mund të lexoni fjalën e mbajtur në këtë asamble të kryetares së Forumit të Gruas Socialiste, Olta Xhaçka:
Përshëndetje të gjithave,
Ndjehem vërtet e emocionuar për këtë mbledhje të parë të Asamblesë Kombëtare të Forumit të Gruas e cila është pikënisja e organizimit tonë për t’i dhënë fitoren Partisë Socialiste me bindjen se ne do të jemi dallga e mbështetjes që do të bëjë diferencën. Këtu mes jush shoh shumë gra me të cilat punuam me muaj të tërë për t’a fuqizuar forumin tonë, për t’a çuar prezencën dhe mbështetjen tonë në çdo bashki e komune, në çdo organizatë partie e qendër votimi. Sot jemi shumë dhe mbështetja jonë do të jetë e pakursyer për fitoren e Partisë Socialiste.
Sot dua t’u falenderoj të gjithave, për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë e jepni për familjen tonë të përbashkët, për fuqizimin tonë si gra e vajza brenda familjes socialiste, e për konsolidimin e këtij rrjeti solidariteti mes nesh. Dua të falenderoj të gjitha kolegët e mia deputete për ndihmën e jashtëzakonshme që më kanë dhënë mua personalisht duke mos u mjaftuar me zonat e tyre të përfaqësimit por duke udhëtuar në gjithë Shqipërinë për të takuar e biseduar me sa më shumë gra e vajza.
Dua të veçoj Eglantinën për punën e saj të palodhur bashkë me grupin e punës gjatë gjithë procesit paraprak të ngritjes e fuqizimit të organizatave të grave në gjithë Shqipërinë.
Por edhe gjithë shoqeve të tjera që bënë maksimumin të na sillnin këtu. Faleminderit Mimoza Hafizi, Vasilika Hysi, Irena Kallco, Anila Cobani, Mimi Kodheli, Shega Ligori, Luiza Xhuvani, Klodiana spahiu, Natasha Paco, Hasie Zeneli, Ermonela Felaj, Keti Bazhdari, Majlinda Bufi, Valentina leskaj, Arta Dade, Rajmonda Balili, Elida Koreshi, Etjona Hoxha, Luljeta Dollani, Luljeta Arapi dhe gjithë të tjerave që për efekt kohe nuk përmend dot. Mirënjohje të gjithave për këtë organizim të jashtëzakonshëm që do të na çojë në fitore në 23 qershor.
Sot, organizimi ynë, nuk është vetëm detyre partie. Është detyrim qytetar për të mbrojtur e avancuar ato të drejta që na takojnë, por që nuk i gëzojmë. Në një vend ku sundohet me vota të vjedhura, ku shteti ka humbur betejën me krimin, ku papunësia e varfëria janë ulur këmbëkryq, ku varfëria reale shënon 62%, ku 104 mijë familje jetojnë me ndihmë ekonomike, më të prekurit janë më të dobëtit. Dhe më të dobëtit e shoqërisë janë gratë. Gratë dhe fëmijët.
Sot organizimi ynë në funksion të rilindjes është detyrë qytetare. Sot gratë kanë pa fund arsye të bashkohen me ne, të votojnë progresin, të votojnë për një të ardhme me dinjitoze për familjet e fëmijët e tyre. Sot gratë dhe vajzat kanë gjithë arsyet të votojnë për Partinë Socialiste. Çdo grua e papunë që është lodhur se sorrollaturi pa shpresë zyrave të administratës apo biznesit privat që sa vjen e tkurret nga monopolet e konkurrenca e padrejtë. Çdo vajze që do të bëhet nënë e çdo nënë që meriton të rrisë fëmijët e saj në një ambient të pastër e të sigurt. Çdo grua që ngjit shkallet e karrierës me meritë e nuk meriton të flaket sa herë ndërron pushteti. Çdo gjyshe, në kapërcyell të jetës që ka kontribuar gjithë jetën por nuk merr kontributin e saj as tek pensioni që s’del për asgjë, as tek kujdesi shëndetësor, as tek dinjiteti që duhet të gëzojë çdo qytetar në kapërcyell të jetës. Çdo grua që nuk gjen drejtësi se padrejtësia favorizon shkelësit. Çdo grua që vuan dhunën por edhe shpërfilljen.
Sot krimi ka depërtuar në thellësi të shoqërisë shqiptare. Dhuna emocionale, ekonomike, fizike, plagosjet e vrasjet nuk kursejnë as gratë as fëmijët. Dhuna në familje ka njohur vetëm rritje gjatë kësaj qeverisjeje duke bërë 27 viktima vitin që shkoi, nga 18 që ishin një vit më parë. Por dhuna në familje nuk është i vetmi fenomen që ka njohur rritje në këtë 8 vjet. Vrasjet, plagosjet, vjedhjet, vjedhjet me dhunë shkaktojnë viktima të shumta. Statistikat e krimit janë alarmante e megjithatë shume krime nuk raportohen e nuk evidentohen sa dhe si duhen. Nuk dimë numrin real të rasteve të dhunës në familje, asaj seksuale, të vajzave që shfrytëzohen për prostitucion sepse vetëm një numër i vogël raportohet. Pavarësisht ligjeve të ashpra në letër, shumë krime nuk ndëshkohen. Vetëm 1/3 e çështjeve që procedohen penalisht dërgohen në gjykatë, rreth 1/3 e tyre pushohen, 1/3 e tyre pezullohen.
Ky nuk është vendi ku një vajze e re aspiron të ndërtojë të ardhmen e saj e ku një nënë do të rrisë fëmijët e saj.
Kjo qeveri e ka humbur betejën me krimin, sepse jeta shoqërore ka degraduar e po degradon vijimësisht prej papunësisë dhe mungesës së shërbimeve publike. Edhe dhuna ndaj gruas është kthyer në një problem social i përmasave të gjera që përforcohet nga varfëria e papunësia, mungesa e shpresës, mentaliteti, ndërgjegjësimi jo i mjaftueshëm, por edhe agresiviteti që ushqen përditë politika përmes modeleve të mbrapshta.
Ne duam dhe do t’a ndryshojmë këtë realitet të dhimbshëm. Vizioni ynë është i qartë. Duam një Shqipëri ku barazia mes grave dhe burrave reflektohet në çdo aspekt të jetës. Objektivat tone janë (1) lufta kundër dhunës ndaj grave, (2) Siguria dhe prosperiteti ekonomik i grave, dhe (3) inkurajimi i grave dhe vajzave në funksione vendimmarrëse. Programi i Partisë Socialiste flet qartë për nevojën e adresimit të këtyre çështjeve si një domosdoshmëri për një shoqëri me mirëqenie e kohezion social aq të nevojshme për një shoqëri demokratike.
Do të adresojmë dhunën duke emancipuar shoqërinë, duke ndryshuar rrënjësisht arsimin, duke krijuar zhvillim të vërtetë ekonomik që siguron mirëqenie e dinjitet për çdokënd, duke luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë e duke instaluar drejtësinë ligjore e sociale, duke krijuar një të ardhme shpresëdhënëse përkundrejt mentalitetit të mbrapshte se në një vend si ky çdo gjë arrihet me dhunë.
Do t’u kthejmë dinjitetin grave nëpërmjet punës. Do të zbatojmë politika ekonomike që do të krijojnë vende të reja pune, të mirëpaguara, dhe të denja për çdo grua. Do të krijojmë jo më pak se 75,000 vende të reja pune çdo vit dhe do të punësojmë me përparësi gratë dhe vajzat duke favorizuar ato më të reja, të arsimuara, pa harruar pjesëtarët e pakicave dhe individët me aftësi të kufizuara. Do të financojmë programe të posaçme për vetëpunësim dhe punësim në zonat e prapambetura veriore, veri-lindore, zonat e thella malore dhe ato me fluks të lart emigrimi.
Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, ne do te jemi mbështetja e njëra tjetrës për t’a zhbërë ekuilibrin e deformuar të përfaqësimit mes burrave e grave. Ne vlejmë barazvlefshmërisht me burrat dhe do të mbështesim e promovojmë njëra tjetrën për të pasur vendin që meritojmë edhe këtu brenda familjes sonë politike për të qenë një familje tërësisht e ekuilibruar mes burrave e grave, djemve e vajzave sikurse duhet të jetë një force progresiste si e jona.

Më pas asambleja zgjodhi kryesinë e forumit dhe strukturën drejtuese.

N/Kryetare: Keti Bazhdari
N/Kryetare: Majlinda Bufi
Sekretare Përgjithshme: Violeta Sinoimeri
Sekretare për Programin: Belioza Coku
Sekretare për Mediat dhe Komunikimin: Joniada Hito
Sekretare për Burimet Njerëzore: Eva Rahmani

KOMENTE