English

Legjislacioni shqiptar për emigrimin. Ministria e Punës ndryshime në legjislacion

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (UN) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), misioni në Tiranë, kanë organizuar Tryezën e Rrumbullakët mbi Zbatueshmërinë e Legjislacionit Shqiptar për Emigrimin për Motive Punësimi.
Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze ishte analizimi i ecurisë së zbatueshmërisë së Ligjit “Për Emigrimin e Shtetasve Shqiptarë për Motive Punësimi” (nr. 9668, datë 18.12.2006, i ndryshuar), si dhe diskutimi i problematikës së hasur nga institucionet zbatuese dhe rekomandimet përkatëse për përmirësime ligjore.

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Z. Spiro Ksera, vuri në dukje se, “Shqipëria ka bërë progres të dukshëm vitet e fundit në zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe për emigrimin e shtetasve për motive punësimi dhe se përmirësimi i bazës ligjore në këtë fushë në përputhje me realitetet e reja do t’i japë një shtysë të re këtij procesi, duke kontribuar në funksionimin sa më të mirë të marrëveshjeve aktuale, por edhe në nënshkrimin e marrëveshjeve të reja me vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë”.

Ministri njohu të pranishmit në tryezë - përfaqësues të institucioneve qendrore, organizmave ndërkombëtarë, misioneve diplomatike të vendeve me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje punësimi si dhe shoqërisë civile - me përpjekjet e Ministrisë së Punës për riaktivizimin e marrëveshjeve ekzistuese të punësimit me vende të BE, si dhe për ndërmarrjen e nismave të reja për të negociuar dhe firmosur marrëveshje të reja jo vetëm në fushën e punësimit por edhe të sigurimeve shoqërore me vende të tjera të BE e më gjerë.

Ksera u ndal në ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve të punësimit me Italinë, Gjermaninë, Greqinë e Francën dhe informoi se së shpejti pritet të nënshkruhen marrëveshje të reja edhe me vende të tjera si Qipro, Katari dhe Izraeli.
Sipas Ministrit është detyrë e institucioneve përgjegjëse që të ofrojnë mundësi punësimi për shtetasit shqiptarë si në tregun vendas edhe atë huaj, duke ofruar njëkohësisht edhe siguri më të madhe dhe mbrojtje të tyre kudo që ata ndodhen.

“Kjo bëhet e mundur nëpërmjet përmirësimeve ligjore të nevojshme dhe përputhjes së tij me legjislacionin europian dhe ndërkombëtar në këtë fushë, si dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet përkatëse të vendeve të destinacionit të shtetasve shqiptarëve që emigrojnë për arsye punësimi”.

Koordinatorja e Përhereshme e Kombeve të Bashkuara ne Shqipëri, Zj. Zineb Touimi-Benjelloun, theksoi rëndësinë e kësaj nisme dhe u shpreh e gatshme, në emër të OKB, të mbështesë Ministrinë e Punës në procesin e rishikimit e legjislacionit në fushën e migrimit për arsye punësimi.

Në tryezë u prezantua një analizë e përgjithshme e Ligjit “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi” dhe aktet e tij ligjore, përgatitur nga Zyra e IOM. Të pranishmit pranuan nevojën e një analize tërësore të legjislacionit në këtë fushë, si dhe praktikave ekzistuese në zbatim të tij.

Takimi sotëm ishte në vazhdën e aktiviteteve të ndërmarra nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për përmirësimin e politikave dhe legjislacionit migrator në vend, të cilat janë tepër të rëndësishme pas i drejtohen rreth 27,5% të popullatës shqiptare e cila ndodhet në emigracion.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës shprehën angazhim të plotë për të reflektuar rekomandimet e nxjerra nga tryeza në legjislacionin aktual, qoftë përmes rishikimit të ligjit apo hartimit të një ligji tërësisht ri.

KOMENTE