Kryeministri Berisha priti dje në një takim Ambasadorin e ri të Tajlandës, z. Surapit Kirtiputra, me rastin e marrjes së detyrës së re.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit të Tajlandës gatishmërinë dhe interesin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në dobi të të mirës së dy popujve dhe vendeve.
Ambasadori i ri i Tajlandës, zoti Kirtiputra, e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i shprehu vlerësimet më të larta për arritjet e rëndësishme që Shqipëria ka shënuar gjatë këtyre viteve, nën drejtimin e qeverisë së Kryeministri Berisha. Ambasadori Kirtiputra i konfirmoi Kryeministrit Berisha dëshirën e vendit të tij për të zgjeruar bashkëpunimin, si dhe për të nxitur investimet tajlandeze në Shqipëri.
Në takim u shpreh vendosmëria për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta politike midis dy vendeve, por edhe mes Dhomave të Tregtisë dhe grupeve të biznesit dhe investitorëve, duke i vlerësuar fushat e industrisë, turizmit, fushën minerare, të energjisë, në veçanti atë hidrike, si sektorë potencialë të bashkëpunimit midis dy vendeve, në të ardhmen.
Ambasadori i Tajlandës, zoti Kirtiputra, i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për zhvillimet e rëndësishme ekonomike që Shqipëria ka arritur, në dallim të qartë nga trend-y evropian, por edhe nga shumë vende të rajonit. Ai që viziton Shqipërinë, theksoi ambasadori, dallon menjëherë dinamikën e madhe të zhvillimit në të cilën është përfshirë vendi, kur sheh infrastruktura të mëdha dhe moderne të zhvillimit urban dhe atmosferën e përgjithshme pozitive nga e cila rrethohen vizitorët dhe investitorët që vijnë në Shqipëri. Në këtë kontekst, Ambasadori i Tajlandës vlerësoi reformat e rëndësishme të realizuara nga qeveria shqiptare në fushën ekonomike, krijimin e klimës më të favorshme për biznesin dhe investimet, me të cilat e njohu Kryeministri Berisha.
Duke i shprehur Kryeministrit Berisha urimet më të përzemërta për vazhdimësinë e suksesit të punës së qeverisë, në të gjitha këto fusha, Ambasadori Kirtiputra i shprehu gjithashtu edhe urimet më të mirat për suksese në zgjedhjet e qershorit.