English

Bashkia numër falas për denoncimin e dhunës në familje

Një numër i gjelbër vihet tashmë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës, për të denoncuar rastet e dhunës në familje. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, shumë linja të autobusëve qytetës të Tiranës mbartin mesazhin “Tirana kundër dhunës ndaj gruas” dhe bëjnë të ditura linjat telefonike falas ku mund të kërkosh ndihmë kundër dhunës në familje. Bashkia e Tiranës dhe rrjeti i Qendrave Komunitare, shoqata “Në dobi të gruas” kanë angazhuar psikologe dhe punonjëse sociale, për t’iu përgjigjur telefonatave dhe për të referuar rastet e dhunës në familje tek shërbimet që u nevojiten.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Zj. Jorida Tabaku, përfaqësuesja e UNDP-së, Zj. Zineb Touimi Benjelloun, ambasadorja gjermane Carola Müller Holtkemper ambasadorja franceze, Christine Moro së bashku me të tjera gra diplomate, udhëtuan sot së bashku në një prej autobusëve të qytetit, për të treguar solidaritet dhe mbështetje për reagimin publik ndaj dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Grave, ndërkohë që shumë gra e zonja festojnë, ne jemi këtu për të treguar se shumë zonja të tjera janë akoma duke mbrojtur të drejtat e tyre dhe për këtë arsye, në bashkëpunim me UNDP dhe zonjat ambasadore e njëkohësisht me shoqërinë civile që ka qenë një ndër iniciuesit e kësaj iniciative, ne jemi përpjekur të bëjmë të dukshëm numrin e gjelbër që ka Bashkia e Tiranës, numër i cili është i disponueshëm për të gjithë zonjat që janë subjekt i dhunës.

Sigurisht që në këtë ditë ne duhet t’i kujtojmë se dikush është pranë tyre dhe se në numrin e gjelbër ato mund të kenë këshillim, mund të kenë mbështetje sociale dhe psikologjike dhe njëkohësisht mund të kenë mbështetjen e shoqërisë civile në shumë aktivitete, me qëllim për t’i riintegruar e përfshirë ato përsëri në shoqëri” – u shpreh Nënkryetarja e Bashkisë znj. Tabaku

Përfaqësuesja e UNDP Zineb Touimi-Benjelloun tha se ky numër u jep mundësi grave të dhunuara ta denoncojnë atë dhe të marrin menjëherë asistencën e nevojshme.

“Kam kënaqësi shumë të madhe që ndodhem këtu dhe marr pjesë në këtë festimin e kësaj dite të shënuar në Shqipëri, Tiranë, Ditën Ndërkombëtare të Grave, duke treguar përmes këtij aktiviteti se jo vetëm festojmë por edhe mbajmë një qëndrim kundër dhunës në familje, pasi tema e sivjetshme e 8 marsit është pikërisht dhuna në familje.

Vendosja e një linje të tillë telefonike falas është shumë e rëndësishme për të mbijetuarat e dhunës, me qëllim që ato të kenë se ku të drejtohen për dhunën në familje dhe të kenë akses në ato shërbime për të cilat kanë nevojë”

Ambasadorja e Francës, znj. Christine Moro theksoi:

“Jam e lumtur që marr pjesë në këtë veprimtari, ku në fakt aksioni është fjala e duhur, pasi në të vërtetë dhuna përbën një nga problematikat më të mëdha për gratë dhe përshëndes bashkinë e Tiranës për prezantimin e OKB-së në organizimin e këtij aksioni“.

Nga ana e saj, ambasadorja gjermane Carola Müller –Holtkemper u shpreh:

“E kam të vështirë të shtoj gjë tjetër. Sot është ditë feste, është Dita Ndërkombëtare e Gruas, por në të njëjtën kohë është e rëndësishme të mos harrojmë se të drejtat e grave nuk janë plotësuar tërësisht , pasi dhuna ndaj grave është tepër , tepër serioze, ndaj kjo është edhe arsyeja se përse jam kaq e lumtur që kontribuoj në këtë aksion për të ngritur një projekt që këto linja telefonike që janë përdoren nga gratë për të marrë këshilla”.

Udhëtarëve të zakonshëm të linjës së Tiranës së Re por dhe qytetarëve të Tiranës u janë shpërndarë lule mimozash dhe fjongo të fushatës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara “Bashkohu për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas!”. Ata shpërndanë përmes fletëpalosjeve informacion lidhur me mekanizmin e bashkërendimit dhe referimit të dhunës në familje, çfarë mund të bëjë ky mekanizëm për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe si mund të lidhen qytetarët me institucionet anëtare të mekanizmit për të kërkuar ndihmë, përfshi edhe numrin e gjelbër pa pagesë.

KOMENTE