English

Tabaku: në një mënyrë apo në një tjetër, zëri i gruas duhet dëgjuar

Me rastin e 8 marsit, Bashkia e Tiranës organizoi një pritje të veçantë për gratë kryefamiljare dhe ato që kanë qenë subjekt i dhunës e që janë asistuar nga Bashkia e Tiranës. “Gratë në nevojë - tha zonja Tabaku, - kanë prej 18 muajsh një derë të hapur në Bashkinë e Tiranës dhe gjithnjë angazhimin për t’i asistuar dhe ndihmuar”.

“Gjatë këtij një viti e gjysmë ne kemi mbështetur rreth 68 zonja kryefamiljare me kredi të buta. Kjo, falë politikave që ne kemi zbatuar por nga ana tjetër janë trajtuar edhe 21 raste të dhunës kundër gruas në qendrat tona sociale që administrohen nga Bashkia e Tiranës” – u shpreh znj. Tabaku.

Bashkia e Tiranës ka përfituar një fond prej 700 000 eurosh, nga programi “IPA - Adriatic” i Bashkimit Evropian. Ky fond do të përdoret nga Bashkia e Tiranës, për krijimin e politikave dhe kuadrit rregullator, për mbështetjen e sipërmarrjes dhe biznesit të vogël, ku përfitueset kryesore do të jenë gratë kryefamiljare, minoritetet si dhe trajnimi dhe kualifikimi profesional i të rinjve me probleme sociale, ish të - trafikuar, etj.

“Jo vetëm në 8 mars por në çdo ditë të vitit, Bashkia e Tiranës do të jetë një derë e hapur për të mbrojtur të drejtat e zonjave, grave, nënave, femrave, për t’i ndihmuar ato me çdo gjë që kemi në dorë. Sigurisht, gjatë një viti e gjysmë bashkarisht kemi bërë shumë por premtojmë se gjatë vitit të ardhshëm ne do të kemi shumë politika të tjera në mbështetje të zonjave dhe unë gjej rastin të lançoj një politikë të veçantë e cila ka lidhje me fondin e garancive për mbështetjen e bizneseve nga njëra anë dhe nga ana tjetër për mbështetjen e bizneseve sociale, ku zonjat e femrat sigurisht do të trajtohen me prioritet.

Është angazhim i Kryetarit të Bashkisë por edhe imi personal, që çdo gruaje dhe çdo zonje në qytetin e Tiranës, t’i dëgjohet zëri në një mënyrë apo në një tjetër” – theksoi Nënkryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku.

Zonja Tabaku vuri theksin edhe në masat e fundit të ndërmarra nga Bashkia, si ulja e taksave për librashitësit, luleshitësit dhe artizanatin, ku përfitueset më të mëdha janë gratë.

KOMENTE