English

Fabrika e Miellit “Diamond”, vlerë e shtuar për ekonominë

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e inaugurimit të Fabrikës së Miellit “Diamond” në Vorë investim i kompanisë AgroBlend me vlerë prej 8 milionë euro. Në këtë fabrikë, e cila është një nga më të mëdhatë në vend, me një kapacitet prodhimi 250 ton/24 orë janë punësuar 100 punonjës. Fabrika e Miellit “Diamond”, prodhon të gjitha llojet e miellrave, si gatime familjare, furra buke, peta, pica, ëmbëlsira dhe për çdo përpunim i produkteve të brumit. Pasi ka vlerësuar punën e Kompanisë AgroBlend, lider në prodhimin e miellit dhe të nënprodukteve të tij në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se, ky investim ka një vlerë të madhe dhe është një vlerë e shtuar për ekonominë. Kryeministri Berisha në emër të qeverisë ka garantuar të gjitha bizneset se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që investimi i tyre, mundi djersa e tyre, të jetë gjithnjë një histori e vërtetë suksesi.

Kryeministri Berisha, theksoi faktin se, reformat kanë qenë dhe mbeten leva e vërtetë e Arkimedit në historinë e zhvillimit të Shqipërisë. Sipas tij, këto reforma janë bërë të njohura , ose kanë bërë jehonë jo vetëm në Shqipëri dhe në Rajon, por edhe në Europë dhe në Botë. Për këtë kryeministri Berisha, informoi, se vetëm pak kohë më parë zëvendës presidenti i Bankës Botërore do të deklaronte se Shqipëria është një histori e vërtetë zhvillimi të suksesshëm dhe të njëjtën gjë, do të konfirmonte presidenti i BERZH-it.

“Shqipëria vlerësohet si një nga historitë më të rralla të zhvillimit dhe kjo histori zhvillimi i detyrohet në radhë të parë shqiptarëve punëtorë, shqiptarëve të sakrificës, shqiptarëve që me ambicien më pozitive bëjnë gjithçka për të përmirësuar jetën e tyre, të familjes së tyre të komunitetit të tyre. Por kjo histori suksesi do të ishte e pamundur pa reformat e mëdha të ndërmarra nga kjo qeveri dhe suksesi i këtyre reformave”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri theksoi gjithashtu se qytetarët shqiptarë pas pagesës së taksave celulari i tyre së shpejti Shqipëria do të bëhet vendi i dytë në Europë, që edhe doganat të gjitha të paguhen nga celulari ose nga kompjuteri.

Gjithashtu Kryeministri Berisha solli në kujtesën e të gjithëve faktin se, kjo mazhorancë erdhi në pushtet në një kohë kur Shqipëria kishte marrë investime të huaja në tete vite të marra sëbashku si mesatare, gjithsej 38 milion dollarë, në një kohë që Maqedonia, e cila kishte kaluar në një konflikt në ato vite, kishte arritur të marrë në të njëjtën periudhe 72 milion dollarë investime. Ndërsa thekson se, gjatë qeverisjes së PD-së investimet u rriten në një miliard. “Çdo vit në katër vitet e fundit Shqipëria ka marrë në mbi një miliard dollarë investime të huaja dhe më të mëdha shumë, kanë qenë investimet e biznesmenëve të vendit. Por kjo u bë e mundur sepse ne këto vite, siç e keni parë, ju kemi ndërtuar një nga infrastrukturat më moderne”, - tha kryeministri Berisha.

Duke u ndalur në investimet në Vorë, Kryeministri Berisha tha se bashkia në bashkëpunim me qeverinë ka ndërtuar 50 kilometra rrugë, kundrejt 12 kilometra gjithsej që u ndërtuan në kryeqytet në Tiranë, në 4 vitet e fundit të mandatit të z. Rama. Në Vorë janë ndërtuar 3 ujësjellësa, 6 kopshte dhe shkolla, 5 qendra shëndetësore si dhe është fuqizuar rrjeti elektrik. “Në qarkun e Tiranës kam kënaqësinë t’ju informoj se gjatë këtyre viteve janë ndërtuar dhe rindërtuar 1020 kilometra rrugë, janë ndërtuar dhe rindërtuar 108 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh, 103 shkolla. 26 milion euro mbështetje për logjistiken e universiteteve publike , 63 milion euro për rrjetin elektrik, janë subvencionuar në Vorë dhe në qarkun e Tiranës, mbi 1500 projekte dhe mbi 1500 fermerë. Ne kemi bërë gjithçka për ta bërë jo vetëm Tiranën qytet, por edhe fshatrat, zonat e saj rurale, zona të zhvilluara zona tërheqëse për investimet e huaja” - u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha se alternativa e qeverisë është Vora e zhvilluara, Shqipëria e zhvilluara, ndërsa përballë kësaj alternative qëndron alternativa e taksë së Kolekës, alternativa e rrënimit të biznesit.

“Ne,- tha Kryeministri Berisha, -synojmë me paketën e re fiskale ti japim një fuqizim të madh biznesit, ne besojmë se është biznesi gjeneratori i mirëqenies shoqërore, nuk është qeveria. Zotëria e tij (Rama) kërkon një shoqëri që të punojë për qeverinë, ne kërkojmë një qeveri që të punojë për shqiptarët. Ky është dallimi esencial dhe këtij dallimi do ti përmbahemi për sa kohë shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancës”.

KOMENTE