English

Rama: 8 mars 2013 do të jetë preludi i fitores sonë në 23 qershor

Në një atmosferë të gjallë e shumë festive ka kaluar pritja e shtruar me rastin e 8 marsit, ditës ndërkombëtare të grave nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Përfaqësuese të Forumit të Gruas Socialiste dhe aktiviste e simpatizante të Partisë Socialiste u mbledhen në mbrëmje në një ambient të ngrohtë e shumë miqësor, ku nuk kanë munguar mesazhet e urimit, por edhe ato politike për një të ardhme të ndryshme të grave dhe vajzave shqiptare, pas 23 qershorit.

“Duke ju uruar këtë festë dhe duke uruar që ky 8 mars të jetë preludi i fitores sonë në 23 qershor, çka për gratë dhe vajzat do të thotë një ndryshim i qasjes së qeverisë ndaj problemeve të tyre kam dëshirë t’ju tregoj një fjalë shumë të bukur të një gruaje jashtëzakonisht të bukur që quhet Sofia Loren. Sofia Loren thotë: ‘Zoti nuk e bëri gruan duke i hequr burrit kokën për t’ja vënë gruan mbi supe. Nuk e bëri as duke i hequr këmbën për ta vënë gruan nën këmbët e burrit. E bëri duke hequr një brinjë për ta vendosur atë në krah si të barabartë me burrin’. Është një mënyrë poetike për të thënë në fakt atë që është edhe ideali ynë i barazisë gjinore në një shoqëri ku ka jashtëzakonisht shumë për të bërë në këtë drejtim. Në një shoqëri, ku ne kemi bërë disa gjëra të vlefshme, por jo vetëm nuk i konsiderojmë arritje të fundme, por përkundrazi i vlerësojmë vetëm si hapat e parë drejt një rrugëtimi, ku duam të rilindim Shqipërinë dhe bashkë me të edhe shpresën dhe ëndrrën se gratë dhe vajzat në këtë vend do të ndjehen ndryshe, do të trajtohen ndryshe dhe do të munden më në fund të shihen si të barabarta me burrat dhe me djemtë”, është shprehur kreu i PS-së Edi Rama, i cili shoqërohej atë mbrëmje nga bashkëshortja e tij, Linda.

KOMENTE