English

Arvizu: shoqërisë shqiptare i nevojiten dy elementë thelbësorë

Aleksandër Arvizu, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë ka deklaruar sot se shoqërisë shqiptare i nevojiten dy elementë thelbësorë për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut.

Në një intervistë për portalin historia-ime.com, ambasadori Arvizu theksoi se duhet të ketë vizionin për të parë të drejtat e njeriut si përparësi si dhe një mekanizëm për të mbrojtur individët.

“Shoqëria ka nevojë për dy elemente thelbësore për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut: duhet të ketë vizionin për të parë të drejtat e njeriut si përparësi dhe duhet të ketë një mekanizëm për të mbrojtur individët. Qeveria nuk mund të vendosë përparësi në kundërshtim me popullin që ajo qeveris. Nëse populli shqiptar nuk punon për të mbrojtur pakicat, nëse familjet nuk përpiqen të mbrojnë gratë dhe fëmijët, do të ishte joreale të mendohej se qeveria do të hynte e të vepronte në emër të tyre. Shqiptarët kanë emër të mirë për mikpritjen dhe mirësinë e tyre. Kur këto cilësi të drejtohen drejt komuniteteve dhe vendit të tyre, potenciali për ndryshim do të jetë tejet i madh. Kjo është arsyeja pse e ndërmora nismën ACT Noë! (Vepro Tani): ajo është përpjekje për të bërë njerëzit të veprojnë mbi bazat e vlerave të komunitetit të tyre; të punojnë me udhëheqësit e zgjedhur; dhe të përmirësojnë komunitetet e tyre, përfshirë edhe fushën e të drejtave të njeriut.

Elementi i dytë, mekanizmi për mbrojtjen, gjendet në një sistem gjyqësor transparent dhe të drejtë. Viktimat duhet të kenë besimin se mund të shkojnë në gjykata, të besojnë se ligji do të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe se ato do të mbrohen në përputhje me rrethanat. Nëse njerëzit nuk kanë besim në transparencën e gjykatave të tyre, ata përherë do të jenë objekte të abuzimit pa pasur mbrojtje” ka thënë Arvizu.

Ambasasori Arvizu është pyetur në lidhje me dënimin maksimal për ata që kryejnë krime kundër grave dhe kundër kujtdo që dhunon gratë.

“Shqipëria ka ligje për të dënuar dhunën në familje dhe mendoj se ka pasur përparim të mirë në këtë front. Parlamenti dhe shoqëria civile kanë bashkëpunuar në këtë çështje në të kaluarën dhe mendoj se kemi parë rezultate pozitive. Mendoj se ka pasur përparim por mund të bëhet akoma më shumë. Mendoj se mund t’i përmirësojmë mekanizmat që inkurajojnë gratë të dalin hapur e të paraqesin ankesa te autoritetet. Fatmirësisht shoqëria po bëhet më e ndërgjegjshme ndaj dhunës në familje sepse gjithmonë e më shumë njerëz flasin për të. Ka debate televizive në lidhje me këtë temë, seminare kushtuar saj si edhe marshime publike. Fushatat ndërgjegjësuese të përqendruara si te viktimat edhe te autorët e krimeve mund të ndihmojnë në shmangien e abuzimit dhe në edukimin e abuzuesve në lidhje me burimet ekzistuese në ndihmë të tyre. Duhet të përqendrohemi jo vetëm te dënimi por edhe te mbrojtja e parandalimi” tha ambasadori.

KOMENTE