Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli ishte sot e pranishme në ceremoninë e nderimit të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, Azem Hajdari (Pas vdekjes) me Urdhrin e Flamurit Kombëtar nga Presidenti i Republikës.
Ceremonia solemne u mbajt në përvjetorin e 50-të të lindjes së Azem Hajdarit, ku ishin të pranishëm bashkëshortja Fatmira Hajdari, pjesëtarë të familjes Hajdari, Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të Kabinetit qeveritar dhe personalitete të tjerë.
Urdhri i Flamurit Kombëtar u dha për Azem Hajdarin nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë gjatë drejtimit të Lëvizjes Studentore Shqiptare ‘90-‘91 në shembjen e sistemit diktatorial, në fitoren e parimeve të lirisë e të demokracisë, si dhe për vetëmohimin si politikan e deputet deri në sakrificën sublime në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të shquara atdhetare.