English

Berisha-Lukšič . Projekte madhore Shqipëri-Mal i Zi

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, zotin Igor Lukšič. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen zotit Lukšič, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ti përcjellë përshëndetjet më të përzemërta Kryeministrit të Malit të Zi, si dhe shprehu dëshirën për ta pritur atë sa më parë në Tiranë, si një mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë, por edhe i vetë Kryeministrit Berisha.
Zëvendëskryeministri Igor Lukšič e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit dhe autoriteteve më të larta të Malit të Zi.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe qeverive, si dhe u rikonfirmua vendosmëria dhe vullneti i palëkundur për të zgjeruar e intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe frytdhënës në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, si në kuadrin bilateral, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal e projektit madhor të të dy vendeve, integrimi në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst u ripohua vendosmëria e të dy qeverive për të përfunduar infrastrukturat e rëndësishme rrugore, por edhe të tjera, të cilat lidhin të dy vendet dhe do t’i japin një hov të ri shkëmbimeve tregtare ekonomike dhe zhvillimit të të dy vendeve. Ndër to u përmendën përfundimi i rrugës Ulqin - Muriqan, përfundimi i segmentit Hani i Hotit – Vermosh, por edhe rinovimi i segmenteve hekurudhore, të cilat kanë një rëndësi të madhe dhe janë shumë efikase në tregtinë midis dy vendeve. Gjithashtu, edhe thellimi i lumit Buna, i cili shoqërohet me projekte të tjera për ta kthyer zonën e liqenit të Shkodrës, në të dyja anët e kufirit, në një atraksion të vërtetë të turizmit ndërkufitar për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e jashtëzakonshme të ndërtimit të infrastrukturave për furnizimin me energji të rajonit, ku u theksua se projekti TAP mbetet projekti më fizibël dhe me interesin më të madh për vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre.

Kryeministri Berisha e siguroi Zëvendëskryeministrin Lukšič se Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e plotë dhe sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë si një tjetër kontribut në shërbim të forcimit të sigurisë së krahut jug-perëndimor të NATO-s, por edhe të rajonit.

Zëvendëskryeministri Lukšič e njohu Kryeministrin Berisha edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi, ku partitë shqiptare të përfaqësuara në Parlamentin e Malit të Zi janë, gjithashtu, pjesë e koalicionit qeverisës, sikundër vijon bashkëpunimi edhe më parti të tjera shqiptare në kontekstin lokal. Në këtë aspekt, Zv/Kryeministri Lukšič e informoi Kryeministrin Berisha se së shpejti do të mbahet edhe referendumi për përcaktimin e statusit të Komunës Urbane të Tuzit, çka Kryeministri e vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme, duke theksuar se kjo do t’i ndihmojë qytetarët e Tuzit në adresimin më të mirë në nivel lokal të çështjeve të jetës së tyre të përditshme.

Në takim u rikonfirmua vendosmëria për intensifikimin e kontakteve në nivelin më të lartë dhe reflektimit të nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve politike në projekte konkrete të bashkëpunimit, të cilat do t’i shërbejnë interesit më të mirë të të dy vendeve dhe popujve.

KOMENTE