English

Flamur Noka: Nuk e kam urdhëruar unë arrestimin e Elvis Rroshit

Fjala e Ministrit të Brendshëm z. Flamur Noka në tryezën e përbashkët për reformën në Kodin Penal.

Mendime për Projektligjin ”Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin Nr. 7895, Datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikes së Shqipërisë”

Një shoqëri e hapur dhe e lirë gjithmonë ndeshet me rrezikun që elementët kriminalë, individë të dhunshëm, të papërgjegjshëm të keqpërdorin liritë e tyre individuale në dëm të tjerëve apo shoqërisë.

Por, detyra e institucioneve tona është t‘u kujtojnë gjithmonë faktin se liria e tyre, përfundon aty ku fillon liria e çdo individi tjetër dhe ligji me ashpërsinë e tij është dhe duhet të jetë garancia e sigurisë dhe lirisë.

Në një shtet demokratik, çdo institucion, ka për detyrë kryesore ndjekjen dhe trajtimin e të gjitha problematikave, të cilat reflektojnë zhvillimin dinamik të shoqërisë, që hera-herës mbart edhe aspekte apo tendenca negative, pasi forcimi i shtetit ligjor dhe funksionimi sa më i mirë i tij është detyrë për të gjithë.

Madje, institucionet tregojnë përgjegjshmëri maksimale, kur kanë aftësinë dhe kapacitetin jo vetëm të konstatimit të këtyre fenomeneve, por edhe të zgjidhjes, që në fazat e para të shfaqjes së tyre. Reagimi në kohë, iniciativa për përmirësimin e kuadrit ligjor, zgjerimi apo saktësimi i objektit të punës dhe veprimtarisë së tyre, është shprehja më e qartë e përgjegjësisë që tregojnë institucionet ndaj qytetarëve të vendit apo shoqërisë në përgjithësi.

Nisur nga sa parashtrova në sipër, shpreh bindjen e thellë se paketa e ndryshimeve të propozuara për ndryshime në Kodin Penal, është tregues i kujdesit maksimal dhe vëmendjes, për të ndërhyrë dhe frenuar tendencën ndaj çdo fenomeni negativ në rritje, apo për t’i paraprirë në kohë shfaqjes dhe përhapjes së fenomeneve të rinj problematikë.

Kjo paketë është aleatja më e mirë në misionin dhe detyrën e Policisë së Shtetit, në veçanti, por edhe për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit në përgjithësi.

Ndaj, Ministria e Brendshme e konsideron ndërhyrjen për saktësimin dhe ashpërsimin e masave të dënimit, si një reagim energjik dhe efikas të shtetit, që do të ketë ndikim të menjëhershëm në parandalimin e veprave penale dhe uljen e tyre. Këto masa mundësojnë siguri në fitoren e betejës me krimin, rritjen e sigurisë së qyetarit, përmirësimin e cilësisë së jetës së tij dhe natyrshëm ndikojnë në forcimin e rendit publik në të gjithë komponentët e tij.

Në një shtet ligjor, shtrëngimi i darëve të ligjit ndaj krimit dhe kriminelëve, e shoqëruar me rreptësinë në zbatim të ligjit, është përgjigjja më e mirë dhe imediate që shteti i jep çdo fenomeni kriminal, pasi kjo paketë ndryshimesh do të ketë një impakt të menjëhershëm në forcimin e luftës ndaj kriminalitetit, duke ashpërsuar dënimet për veprat penale të rënda.

Kjo refomë që ne paraqesim sot i jep zgjidhje të saktë trajtimit ligjor të disa fenomeneve të rënda shoqërore, duke rritur masat ndëshkuese, deri edhe në burgim të përjetshëm sikundër:

Vrasja e funksionarëve publikë;
Krimit në familje
Edhe ashpërsimi i masës së dënimit për:

Zjarrvëniet;
Mbajtjen, prodhimin, blerjen apo shitjen pa leje të armëve të ftohta.
Krimit ekonomiko finaciar apo për trafikantët e qenieve njerëzore, etj.,
është përgjigjja më efikase që qeveria u jep këtyre fenomeneve, pasi kërkojnë më shumë përgjegjshmëri dhe vendosmëri në trajtimin e tyre.

Kjo paketë inkurajon Policinë e Shtetit dhe i jep më shumë siguri në aktivitetin e përditshëm dhe gjithashtu rrit eficencën e punës së saj.

Pa asnjë dyshim që kjo reformë ndikon në rritjen e efikasitetit të punës së institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese, pasi shpesh puna dhe përkushtimi i tyre, bjerret si pasojë e boshllëqeve ligjore që shfrytëzojnë elementët kriminalë.

Kam bindjen se kjo reformë përmirëson ndjeshëm dhe harmonizon punën e agjencive të zbatimit të ligjit dhe strukturave të hetimit dhe drejtësisë.

Për të gjitha këto, kam bindjen e thellë se miratimi i kësaj pakete ligjore do të shërbejë për thellimin e mëtejshëm të luftës konsekuente ndaj krimit të çdo lloji, dhunës kudo që ajo shfaqet dhe për të garantuar një mjedis sa më të sigurt çdo individi dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.

Doja të bëja një apel, që edhe opozita të dilte nga cirkuiti i aleancës me krimin, nga sulmet ndaj institucioneve, ndaj Policisë së Shtetit dhe t‘i bashkangjitej miratimit të kësaj pakete, për të treguar vullnetin dhe sensibilitetin që kërkon shoqëria, në mbështetje të ligjit, qytetarëve dhe shtetit ligjor.

Mbështetja e kësaj pakete, nga ana e opozitës, do të ishte një sinjal i prishjes së aleancës me krimin dhe futjen në binarët e respektit të ligjit. Ne shpresojmë që kjo të ndodhë.

Më pas pas prezantimit të reformës në drejtësinë penale, Noka ka deklaruar se nuk ka urdhëruar arrestimin e Roshit.

“Arrestimi i Elvis Rroshit nuk është politik. Kjo është një përrallë,
si përrallat e tjera të Elvis Rroshit. Nuk e kam urdhëruar unë arrestimin e Elvis Rroshit” tha Noka.

I arrestuar Rroshi është shprehur se nuk është lejuar të takohet me avokatin e tij dhe se gjendet i izoluar. Avokati i Popullit Igli Totozani u shpreh se ka dërguar inspektor të tij edhe në Kavajë edhe në Tiranë dhe sipas Totozanit ky institucion është në pritje të relacionit. ”Nëse nuk është lejuar takimi i Roshit me avokatin e tij është shkelje e ligjit”u shpreh avokati.
Ditën e djelë, Elvis Rroshi kryetari i bashkisë së Kavajës, u arrestua nga policia nën akuzën e kanosjes dhe goditjes për shkak të detyrës së trajnerit të ekipit të futbolit të Tiranës, Nevil Dede, gjatë pushimit të ndeshjes Besa-Tirana. Pas arrestimit, Rroshi u shoqëruar në qelitë e Drejtorisë së Policisë në Tiranë dhe është në pritjes së masës së arrestit.

KOMENTE