English

Panariti: do të garantojmë funksionimin normal të ambasadave

Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Panariti, u takua me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme e Integrimit Evropian të Malit të Zi, zotin Igor Lukshiç.

Ministri Panariti, theksoi se marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë model në rajon, dhe se përveç vullnetit të konsoliduar politik ato mbështeten në një bazë substanciale e konkrete bashkëpunimi.

Zoti Panariti, nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve tona i shërben njëkohësisht paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe aspiratës së përbashkët të integrimit evropian dhe atij atlantik.

Gjatë bisedimeve, të dy ministrat shqyrtuan dhe evidentuan përparimin e bërë në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, dhe u përqëndruan në projekte të përbashkëta të infrastrukturës, energjisë, turizmit, mjedisit dhe projektet ndër-kufitare.

Dy ministrat, ranë dakord që Shqipëria, Mali i Zi e Kroacia të punojnë së bashku për të mbështetur projektin TAP, me synim për shtrirjen e tij në rajon.

Ministri Lukshiç propozoi një qasje të përbashkët rajonale ndaj institucioneve financiare evropiane dhe atyre ndërkombëtare për financimin e projekteve me interes reciprok.

Pas takimit, Ministrat Panariti dhe Lukshiç nënshkruan: Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Arsimit dhe Marrëveshjen për Shkëmbimin dhe Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Gjatë bisedimeve u shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për zhvillimet në rajon, si dhe mbi bashkëpunimin në nismat shumëpalëshe rajonale dhe ato evropiane.

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti ka theksuar sot se institucioni që drejton do të garantojë funksionimin normal të ambasadave natyrisht duke pasur më përparësi qëndrat kryesore si SHBA dhe Bruksel.
I pyetur nga mediat në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Igor Lukshiç për problemet finaciare që ka ambasada jonë në Washington, Panariti theksoi se ajo është një çështje që kerkon zgjidhje ndërinstitucionale.

“Shumë vende po mbyllin përfaqësitë diplomatike për shkak edhe të krizës. Me lejoni t’ju garantoj se ministria do garantojë funksionimin normal të ambasadave natyrisht duke pasur më përparësi qendrat kryesore si SHBA dhe Bruksel. Nuk ka nevojë për panik. Shqetësimet për probleme në buxhet i kam bërë të ditura edhe në komisionin e jashtëm dhe kam pasur mbështetjen e dy kaheve politike. Problemi kërkon zgjidhje ndërinstitucionale, problemi është transparent. Jemi të hapur dhe nuk kemi gjë për të fshehur”, tha Panariti.
Ndërkohë Ministri i jashtëm Edmond Panariti ka theksuar se i ka propozuar homologut të tij malazez Igor Lukshiç që të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes dy vendeve për mbështetjen e projektit të gazësjellësit TAP.

“Biseduam me ministrin për bashkëpunimin në shumë fusha, veçanërisht në atë të energjitikës mes vendit tonë dhe Malit të Zi. I propozova ministrit që të nënshkruajmë një memorandum të përbashkët mirëkuptimi jo vetëm me Malin e Zi por edhe me vende të tjera të rajonit për të mbështetur projektin TAP. Jam i kënur që pata mbështetjen e tij në këtë drejtim pasi shanset që TAP të jetë fitimtar do të jenë edhe më të mëdha. Shpreh bindjen se takimi i sotëm dhe fryma konstruktive që ka karakterizuar vendet tona do i japë impuls të ri dy vendeve”, theksoi Panariti.

Ndërsa ministri malazez Lukshiç ka theksuar se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve do të kontribuojnë për stabilitetin e rajonit.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, ministri malazez Lukshiç do të takohet me kreun e LSI-së Ilir Meta dhe me përfaqësues të minoritetit malazez në Shqipëri. Në kuadër të kësaj vizitë do të mbahet edhe Forumi Ekonomik Shqipëri-Mali i Zi.

KOMENTE