English

Shtetasit e Kosovës, tashmë pa vizë kroate në Kroaci

Ambasada e Republikës së Kroacisë në Prishtinë, përmes një note verbale, ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës se autoritetet kroate kanë vendosur që të kthehet regjimi i mëparshëm për hyrje të qytetarëve të Kosovës në territorin e Kroacisë.
Sipas këtij vendimi, shtetasit e Kosovës të pajisur me vizë schengen, mund të hyjnë në Republikën e Kroacisë pa pasur nevojë të pajisen me vizë kroate.

Ky vendim ka ardhur pas atij të shkurtit përmes të cilit për qytetarëve të Kosovës me vizë schengen, të cilët nuk kanë pasur leje qëndrim të rregullt në vendet e BE-së, u është kërkuar vizë kroate për të hyrë në Kroaci.

Me këtë rast, autoritetet e dy shteteve kanë pasur bisedime shumë të frytshme dhe tashmë autoritetet kroate kanë gjetur zgjidhje që do të mundësojë lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të Kosovës në Kroaci.

Pra, nga e hëna, 11 mars 2013, qytetarëve të Republikës së Kosovës që posedojnë vizë schengen me validitet territorial të kufizuar (Valid for: Schengen States (–ES, GR, SK)) nuk do t’u kërkohet vizë për të hyrë, qëndruar apo kaluar transit përmes territorit të Republikës së Kroacisë.

Sipas vendimit të autoriteteve kroate, dokumentet e lartpërmendura duhet të jenë valide në momentin e lëshimit të territorit të Kroacisë.

Ky regjim do të jetë valid deri në datën e hyrjes së Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpreh mirënjohje për autoritetet kroate për vullnetin dhe gjetjen e shpejtë të zgjidhjes, duke pasur parasysh edhe detyrimet në proceset integruese evropiane.

KOMENTE