Administrata Tatimore, nëpërmjet teknikave bashkëkohore të analizave të riskut, ka analizuar në mënyrë të detajuar deklarimet e xhiros të tatimpaguesve që operojnë aktivitete në sektorët ekonomikë të Hoteleri Turizmit, shërbimeve shëndetsore private dhe ndërtimit me fonde publike.
Nga kjo analizë janë konstatuar grupe tatimpaguesish, të cilët kanë diferenca midis xhiros së deklaruar dhe aktivitetit të tyre. Në zbatim të Planit të saj Strategjik, Strategjisë së Përmbushjes, por dhe Planit Operacional 2013, Administrata Tatimore i ka përcaktuar këta sektorë me risk për vitin 2013.
Duke përfituar nga ky komunikim, Administrata Tatimore, i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, që brenda datës 31 Mars 2013, të korrigjojnë deklarimet e tyre për të gjitha periudhat e vitit ushtrimor 2012, në mënyrë që të mos klasifikohen si tatimpagues me risk dhe që të mos penalizohen në të ardhmen e afërt. Të gjithë tatimpaguesit, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të vetë korrigjimit dhe të pagimit të tatimit të munguar, mund të kërkojnë informacion dhe asistence pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ku janë të rregjistruar.
Administrata Tatimore, është e vendosur në mënyrë rigoroze të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë dhe korrekte për të gjithë tatimpaguesit. Ajo do të vazhdojë përpjekjet e saj për të rritur nivelin e përmbushjes vullnetare duke ndihmuar të gjithë tatimpaguesit, që orientohen drejt një qëndrimi korrekt me ligjin dhe për të goditur atë grup tatimpaguesish që me dashje përpiqen ti shmangen detyrimit të tyre ligjor për të deklaruar dhe paguar tatimet në mënyrë të drejtë.
Refuzimi për dhënien e informacionit të kërkuar nga administrata tatimore dënohet me gjobë 10.000-50.000 lek për çdo shkelje. Ndërsa çdo tatimpagues që pengon ushtrimin e të drejtave të administratës tatimore në lidhje me kontrollin apo hetimin tatimor, dënohet me një gjobë nga 100.000 për biznesin e vogël dhe 1.000.000 lek për bizneset e tjera. Të drejtën për miratimin e masës së gjobës e ka drejtori i drejtorisë rajonale apo i njësive të ngjashme me to si dhe për tatimpaguesit e klasifikuar si biznes i vogël kjo e drejtë i takon titullarit të zyrës tatim-taksave të qeverisjes vendore.
1) Tatimpaguesi që lëshon fature tatimore të pasaktë e që rezulton me ulje të detyrimit, apo rritje të shumës për t’u rimbursuar dënohet me gjobë të barabartë me 50 % të shumës së efektit në ulje të detyrimit tatimor, përveç detyrimeve tatimore dhe interesave të llogaritura në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjeve specifike tatimore.
2) Tatimpaguesi që lëshon një faturë tatimore me pasaktësi por që provohet se nuk ka efekt në llogaritjen dhe pagimin e detyrimit tatimor dënohet me gjobë prej 10.000 lekë.
3) Tatimpaguesi i cili nuk është subjekt i detyrimit për lëshimin e faturës me TVSH, dhe lëshon fatura TVSH-je, dënohet me gjobë të barabartë me 50% TVSH-së së dhënë në faturën tatimore të paautorizuar si dhe marrjen e 100% te TVSH-së së faturuar padrejtësisht, shprehet Erjon Prifti Drejtor i Shërbimit të Tatimpaguesve.